Foto: Atdhe Mulla

Ndërtimi i Sallës Koncertale, procedurat pritet të fillojnë në tetor të këtij viti

Komuna e Prishtinës ka futur në plan paraprak të prokurimit ndërtimin e Sallës Koncertale.

Salla Koncertale pritet të bëhet në ish shtëpinë e mallrave ‘Gërmia’, ku tani janë një pjesë e Administratës Tatimore të Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

Pas një debati të gjatë nëse objekti duhet të mbahet apo të niset tjetër, tërësisht i ri, u vendos që të adaptohet objekti pa e prekur shumë strukturën  dhe dizajnin e jashtëm.

Për këtë ndërhyrje, komuna e Prishtinës në nëntor të vitit 2020 shpalli konkurs ndërkombëtar arkitektonik.

Konkursi për pranim të ideve pritej të mbetej i hapur për 75 ditë nga dita e hapjes.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Kulturës në komunë, salla koncertale pritet të ketë kapacitet prej 800 ulëseve për sallën e madhe dhe 200 ulëse për sallën e vogël (Jazz salla).

Kurse çmimi i parë për projektin që përzgjidhet do shpërblehet me 50 mijë euro.

Lidhur me investimin dhe emrin që do mbajë kjo sallë, i pari i Prishtinës Shpend Ahmeti gjatë hapjes së konkursit deklaroi se kjo do varet nëse do jetë i gjithi investim i komunës.

“Nëse kjo ndërtesë na kushton 10 milionë euro për t’u adaptuar, besoj se do kemi nevojë për Komisionin Evropian për ndihmë, ose do na marr më shumë kohë për ta ndërtuar, nëse na kushton rreth 5 milionë euro, besoj se do e mbulojmë si komunë duke e mbajtur në pronësi tonën dhe do e quajmë ‘Salla e Koncerteve Gërmia’, ku  ruhet edhe  trashëgimia por, nëse kemi financim nga Komisioni Evropian do e quajmë ‘Salla Evropa’” ka thënë Ahmeti.

Në njoftimin paraprak të drejtorisë së Prokurimit, procedurat për këtë sallë pritet të fillojnë në muajin tetor të këtij viti, kurse janë parashikuar të ndahen 850 mijë euro nga buxheti këtij viti.

Komuna ende nuk ka shpallur fituesin për këtë projekt, konkursi për të cilin mbyllet në këtë muaj.