Gjykimi i Nexhmedin Musliut - Foto: KALLXO.com

Ndërtimet pa leje në Prizren, refuzohet ekzaminimi psikiatrik i të akuzuarit

Gjykata e Prizrenit të martën ka refuzuar kërkesën për trajtim në Institutin e Forenzikës së Psikiatrisë në rastin e inspektorit Nexhmedin Musliu.

Musliu po gjykohet se si inspektor nuk i ka ndërmarrë veprimet kundër ndërtimeve pa leje të bëra nga një investitor, me ç’rast ka dëmtuar zonën e ndërtimit në “Qylhan”.

Gjatë shqyrtimit të sotëm, Valbonë Morina, mbrojtëse e të akuzuarit, ka propozuar që i akuzuari t’i nënshtrohet trajtimit psikiatrik.

“Për të ardhur deri te një konstatim më i saktë për gjendjen e të mbrojturit tim propozoj që të bëhet ekspertizë e psikiatrisë. Po ashtu, nga dëshmitarja-doktoresha Naide Morina nuk janë lexuar të gjitha raportet rreth gjendjes së të mbrojturit tim” – tha avokatja Morina.

Në anën tjetër përfaqësuesja e Prokurorisë, Ervehe Gashi dhe përfaqësuesi i Komunës, Blerim Mazreku, kanë kundërshtuar këtë propozim.

Prokurorja Gashi ka konsideruar se nuk është i nevojshëm një trajtim i tillë pasi gjendja e të akuzuarit nuk ndikon në të menduarit e tij.

Pas kësaj Gjykata mori vendim që të refuzohet propozimi i mbrojtjes për ekzaminim psikiatrik të të akuzuarit Nexhmedin Musliu.

Paraprakisht në këtë seancë në cilësinë e dëshmitares është dëgjuar doktoresha Naide Morina.

Morina ka deklaruar se gjendja e të akuzuarit ishte neuroze dhe nuk ndikon në të menduar dhe në sferën perceptive.

Doktoresha Morina ka vlerësuar se në bazë të raporteve mjekësore të të akuzuarit i njëjti mund të vazhdonte punën por i duhej terapi.

Seancat e radhës për këtë rast u caktuan për më 2 dhjetor 2022.

Sipas aktakuzës të ngritur më 25 shtator 2019, Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas Prokurorisë, nga data 21 nëntor 2016 e në vazhdim, në Prizren, si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Musliu duke mos ndërmarrë veprime i ka mundësuar Mehmet Palushit ndërtimin edhe të një kati dhe mospagesën e taksave komunale, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale – keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar, për të cilën vepër penale parashihet dënim prej 6 muaj deri në 5 vite burgim.

Lidhur me akuzën në fjalë, ish-inspektori ishte deklaruar i pafajshëm.

Shkrimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK