Ndërtimet pa leje në Prevallë, kryeinspektori i mjedisit dhe inspektorët e Prizrenit dalin para gjyqit

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj kryeinspektorit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Bedri Halimi, si dhe katër inspektorëve të Komunës së Prizrenit, Enver Bytyqi, Nexhmedin Musliu, Bashkim Krasniqi, Ruzhdi Daka, të akuzuar nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të pozitës.

Arsye e dështimit të kësaj seance ishte mungesa e dëshmitarit Arsim Thaçi, i cili ishte i propozuar nga ana e Prokurorisë Speciale.

Prokuroja Merita Bina- Rugova, në lidhje me këtë dëshmitarë, tha se i njëjti është polic hetues, i cili e kishte hetuar këtë rast, duke shtuar se ky dëshmitar do të bëjë një prezantim të provave materiale me power-point, i cili do të prezantoj gjendjen fakteve, ku sipas prokurores dëgjimi i këtij dëshmitari është i domosdoshëm.

Më pas e njëjta i propozoi gjykatës që në mungesë të dëshmitarit Arsim Thaçi, seanca e sotme të shtyhet për një datë tjetër.

Pos kësaj prokurorja Bina- Rugova, i bëri me dije trupit gjykues se në aktakuzë ka ndodhur në gabim teknik, ku nuk ka qenë e propozuar pala e dëmtuar, e cila sipas saj është Shteti i Kosovës, duke propozuar që në seancën e radhës të ftohet përfaqësuesi i avokatisë së shtetit, përkatësisht nga Ministria e Drejtësisë.

Por këtë propozim të prokurores Bina- Rugova e ka kundërshtuar avokati Artan Çerkini, i cili e mbron të akuzuarin Bedri Halimi.

Çerkini ka thënë se ka kushte për mbajtje të seancës, duke shtuar se propozimi i prokurores që hetuesi policor të bëjë provat materiale nuk është në harmonizim me kodin e procedurës, për shkak se sipas tij provat materiale i bën prokuroria.

“Hetuesi kryen veprime hetimore në fazën para-penale, dhe pas aktvendimit për fillimin e hetimeve kryen veprime hetimore në procedurë penale, provat materiale duhet t`i prezantoj prokuroi në shqyrtim gjyqësor, ngase prokuroria është palë në procedurë, e jo policia”, tha avokati Çerkini.

Kurse në lidhje me propozimin e prokurores që palë e dëmtuar në këtë rast është Shtetit i Kosovës, avokati Çerkini tha se në aktin akuzues nuk është asnjë provë e vetme që Shtetit i Kosovës është palë e dëmtuar.

Me fjalët e avokatit Çerkini, u pajtuan edhe mbrojtësit e tjerë në këtë rast, siç janë: Fatmir Jelliçi, Blend Gjini, Gent Gjini, dhe Arben Shala.

Pas kësaj përsëri ka reaguar prokurorja e rastit Merita Bina- Rugova, e cila tha se polici hetues do të bëjë prezantimin e provave të cilat i ka siguruar vetë gjatë hetimeve.

“Me asnjë dispozitë ligjore nuk është e paraparë që polici hetues nuk lejohet ta bëjë administrim e provave, është shumë e logjikshme që provat që i ka siguruar vetë, ta bëjë prezantimin e tyre”, shtoi Bina- Rugova.

Më pas kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala, aprovoi propozimin e prokurores Bina- Rugova, dhe seancën e radhës e caktoi  me datë 12 mars.

Dalin para gjyqit inspektorët e akuzuar se lejuan ndërtime pa leje në Prevallë

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Enver Bytyqi, Nexhmedin Musliu, Bashkim Krasniqi dhe Ruzhdi Daka, si inspektorë të ndërtimit në Drejtorinë e Inspektoratit të Komunës së Prizrenit, përgjegjës për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Nacional të lartcekur, në periudhën kohore nga 22.6.2006, kur Kuvendi Komunal në Prizren e ka miratuar Planin e Përkohshëm Rregullues Urban për atë zonë, deri më datë 03.05.2013, kur Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me vendim ka urdhëruar ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve ndërtimore në zonën e Prevallës, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare konform Ligjit për ndërtimin.

Akti akuzues thotë se të pandehurit as nuk e kanë bërë mbikëqyrjen inspektuese të ndërtimeve, nuk kanë urdhëruar pezullimin e ndërtimit dhe nuk i kanë iniciuar procedurat e parapara me ligj.

Sipas aktakuzës, gjatë këtyre 7 viteve, ata kanë lejuar ndërtimin e disa qindra objekteve pa leje.

“Dhe në këtë mënyrë kanë shkaktuar degradimin e mjedisit në masë të madhe, kurse secilit pronarë të objektit të ndërtuar pa leje i’u kanë mundësuar përfitimin e dobisë pasurore në vlerë mesatare prej 10,500 euro”, thuhet në aktakuzë.

Me këtë, sipas Prokurorisë Speciale, secili, veç e veç, ka kryer veprën penale – keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar në vazhdimësi.

Ndërsa për Bedri Halimi, sipas aktit akuzues thuhet se duke punuar si kryeinspektor i Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, kompetent për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Nacional “Sharri” në Prevallë, me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me vendimin e ministrit të Ministrisë së Mjedisit të vitit 2013, me të cilin urdhërohej rrënimi i objekteve pa leje brenda planit rregullues në Parkun Nacional.

Sipas Prokurorisë Speciale, i pandehuri edhe pse e ka hartuar planin për zbatimin e urdhëresës në 4 faza dhe në fazën e parë ka rrënuar 180 objekte, në fazën e dytë nga 28 vendime për rrënim janë zbatuar vetëm 20, në fazën e tretë nga 45 vendime për rrënim, 16 janë revokuar, ndërsa 29 vendime kanë mbetur të pazbatuara, kurse fazën e katërt fare nuk është implementuar, ashtu që nga data 14.12.2013 e deri sot nuk ka zbatuar asnjë prej vendimeve edhe pse ende janë në fuqi.

Me këtë po akuzohet se ka kryer veprën penale, “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.