Ndërtime ilegale në Bjeshkët e Strellcit, ndërhynë Inspektorati i MMPHI e Policia e Kosovës

Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit bashkë me zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë inspektuar disa ndërtime ilegale në Bjeshkët e Strellcit.

Sipas ministrit të Mjedisit, Liburn Aliu, gjatë inspektimit janë hasur makineri e pajisje të ndryshme duke ushtruar veprimtari ilegale, përkatësisht gërmim dhe përgatitje të terrenit për ndërtim në prona publike.

Aliu tha se për të adresuar këto shkelje, janë ndërmarrë veprime të menjëhershme me ç’rast makineritë janë sekuestruar me urdhrin e prokurorit dhe në bashkëpunim me policinë janë ngritur kallëzime penale ndaj individëve të përfshirë.

Tutje Aliu tha se ministria që ai drejton është e përkushtuar për mbrojtjen e mjedisit dhe pasurive natyrore dhe do të vazhdojë të ndjekë me rigorozitet çdo rast të shkeljes së ligjit për të siguruar kështu ruajtjen e resurseve të vendit tonë.