Lajm i Fundit, Coronavirus

Ndërron orari kur IKPSHK do të bëjë publike rezultatet e testimeve për COVID-19

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se rezultatet për testimet për COVID-19 që nga nesër do të bëhen të ditura në ora 15:00.

MSh përmes komunikatës ka kërkuar durimin e qytetarëve përgjatë ditës së sotme sepse rezultatet e testimeve sot do të publikohen nesër në ora 15:00.

“Për shkak të kalimit të raportimit për publikimin e rezultateve prej raporteve ditore në orët e mbrëmjes në raportim ditor në ora 15:00, ju lusim për mirëkuptim dhe durim deri në publikim e rezultateve të testimeve nga IKSHPK, që do të bëhet nesër në ora 15:00!”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ministria ka njoftuar edhe lidhur me arsyet për ndërrimin e orarit, pasi zakonisht rezultatet janë bërë të ditura në orët e mbrëmjet çdo ditë.

“Me qëllim të informimit në një kohë sa më të përshtatshme për publikun për rezultatet e testimeve për SARS-COV-2 nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës; përkatësisht për numrin e mostrave të analizuara, numrin e atyre që rezultojnë pozitiv në Covid-19, numrin e të shëruarve, numrin e të vdekurve, numrin e rasteve aktive si dhe shpërndarjen e tyre sipas komunave, duke filluar nga dita e nesërme, 15 korrik 2020, ky informacion do të ndahet me publikun çdo ditë në ora 15:00, qoftë përmes konferencave për media, lidhjeve të drejtpërdrejta apo formave të tjera të përshtatshme për publikun”, vazhdon më tej njoftimi.

Po në këtë komunikim, çdo ditë do të jepen edhe të dhënat për numrin e pacientëve të shtrirë në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës dhe njësitë e tij- spitalet e përgjithshme, gjendjen shëndetësore të pacientëve si dhe karakteristika të tjera me interes rreth ecurisë klinike të Covid-19 në Kosovë.