Ndërpritet senaca e Kuvendit për krizën në Telekom, vazhdon nesër në orën 10:00

Seanca e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë sot që të vazhdoj nesër në orën 10:00.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka propozuar që kjo seancë të vazhdojë nesër në mungesë korumi.

“Ne prezantuam një rezolutë dhe meqenëse aktualisht jemi 48 deputet në sallë nuk ka korum për të vendosur rezolutën në votim prandaj propozoj që të vazhdoj seanca nesër në orën 10:00”, ka thënë Nagavci.

Nesër në Kuvendin e Kosovës është paraprë të filloj debati për pensonistët sipas rendit të ditës.

Kuvendi i Kosovës ka debatuar për situatën financiare të Telekomit të Kosovës, kërkesë kjo e cila ishte parashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje në seancën e kaluar.

Gjatë ditës, Kompania ‘Dardafon.net LLC’, e njohur me emrin tregtar ‘Z-Mobile’ ka folur për herë të parë për bllokimin e xhirollogarive të Telekomit.

Gjykata Themelore Prishtinë ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh duke ia refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.

Pas këtij vendimi të Gjykatës kanë pasur reagime të Federatës Sindikale të Pavarur (FSP) të PTK-së, si dhe disa takime me kryeministrin Avdullah Hoti e ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi për të gjetur një zgjidhje.

Deri më tash nuk është gjetur asnjë zgjidhje, ndërsa Telekomi i Kosovës ka lajmëruar i janë bllokuar xhirollogaritë nga ana e përmbaruesit.