I akuzuari Millorad Gjokoviq - Foto: KALLXO.com

Ndërpritet seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte në rajonin e Pejës pas kërkesës së avokatit të tij

Seanca e datës 01.11.2024 e gjykimit të Millorad Gjokoviqit, i cili nga Prokuroria Speciale e Kosovës po akuzohet për krime lufte, është ndërprerë pas kërkesës së mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Dejan Vasiq.

Millorad Gjokoviq akuzohet se gjatë viteve 1998-1999 në fshatin Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth, në kundërshtim me rregullat e së drejtës ndërkombëtare, kishte aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, keqtrajtimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore.

Arsyeja pse avokati Dejan Vasiq kërkoi që seanca e sotme të ndërpritet është sepse për dëshmitarin e propozuar nga Prokuroria, Rifat Morina, kishte shumë pyetje dhe do të dëshironte që në seancë të ishte prezent edhe avokati tjetër, Vasilije Arsiq, i cili është avokati kryesor i të pandehurit Millorad Gjokoviq.

Paraprakisht ky dëshmitar u mor në pyetje nga prokurori Kastriot Memaj.

Gjatë dëshmisë së tij dëshmitari deklaroi se gjatë periudhës se luftës 1998-1999 kishte qenë në shtëpinë e tij.

Ai rrëfeu se në mëngjesin e 7 majit ishte zgjuar dhe e kishte takuar Halitin, pastaj kishin hyrë brenda dhe kishin pirë nga një kafe dhe duke pirë kafet kishin dëgjuar të shtëna, dhe ishte ngritur në këmbë dhe i kishte thënë: “Halit zgjohu!” dhe kjo kishte ndodhur në mëngjes.

Pastaj e kishte përcjellë Halitin deri te dyert dhe kur kishte dalë te dyert i kishte thënë: “Mos shko nga ke ardhur!”.

Tutje rrëfeu se në ditën e dytë kur ishte bërë terr kishin ardhur me veturë nga 3 herë dhe i kishin marrë nga 14 persona, dhe i kishin dërguar në shtëpi private dhe aty kishin ndenjur tërë natën dhe aty i kishin marrë në pyetje, ndërsa kur kishin ardhur në mëngjes kishin thënë se “nuk kemi vend ku me i dërgu me i vra se janë mbushur të gjitha gropat” dhe pastaj aty i kishin mbajtur deri në mbrëmje.

“Pastaj ndodhi kiameti, sa nuk kanë mujtë ma” – tha dëshmitari Rifat Morina.

Ai rrëfeu se nuk kishte parë askënd nga forcat serbe dhe asnjë prej tyre nuk i mbante mend. Po ashtu as armët nuk i kishte parë ndërsa tutje tha se kishte pasur rafal, krismat kishin qenë të rënda, të lehta, të gjitha këto sipas tij i kishte organizuar i pandehuri.

“Të gjitha këto i ka ba për shkak se para 2 vitesh është folur se ky i ka pasur 3 emra Mice, Mican dhe tash po e ni që po i thonë Gjokoviq” – tha dëshmitari.

“A e keni njohur para lufte të pandehurin”- e pyeti prokurori Memaj. “Jo, kurrë s’e kam njohur” – ishte përgjigjja e dëshmitarit Rifat Morina.

Po ashtu paraprakisht në seancën e sotme është dëgjuar dëshmitari Halit Gashi, i cili e ka vazhduar dëshminë, duke iu përgjigjur vetëm pyetjeve të trupit gjykues, pasi në seancën e kaluar ai u ishte përgjigjur pyetjeve të palëve të tjera në procedurë.

Gjatë dëshmisë së tij ai tha se të akuzuarin Gjokoviq e njeh që para luftës, që nga viti 1991.

Ai gjatë dëshmisë së tij tha se i pandehuri Millorad Gjokoviq pas luftës kishte shkuar te miqtë në Mal të Zi.

Po ashtu rrëfeu se arma të cilën e kishte pasur Millorad Gjokoviq atë armë e kishte mbajtur edhe në zyrën e tij.

Këtë gjë atij ia kishin treguar qytetarët sepse në atë kohë ai kishte qenë kryetar i fshatit.

Seanca e radhës pritet të mbahet gjatë muajit dhjetor.

Kjo çështje penale po trajtohet në Departamentin Special në përbërje të trupit gjykues nga Valon Kurtaj – kryetar dhe dy anëtarët Arben Hoti dhe Vesel Ismajli.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë, i pandehuri gjatë kohës së luftës në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare kishte aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore.

Sipas aktakuzës i njëjti tutje kishte dëbuar dhe deportuar dhjetëra civilë shqiptarë si dhe kishte aplikuar masat e mbajtjes në kushte të skllavërisë. Personat që kanë qenë të dëmtuar nga këto veprime të të pandehurit kanë qenë shqiptarë, të cilët nuk kanë marrë pjesë në konflikt.

Tutje sipas aktakuzës i pandehuri në mëngjesin e majit të vitit 1999, duke marrë pjesë së bashku me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, fillimisht e kishin rrethuar fshatin Ozdrim, e pastaj kishin filluar një ofensive ushtarake-policore.

Në aktakuzë thuhet se fshati ishte rrethuar e më pas ishte sulmuar nga tri drejtime nga forcat ushtarake-policore serbe. Nga këto veprime kishin mbetur të vrarë gjashtë persona, të cilët ishin civilë të nacionalitetit shqiptar e tre të tjerë kishin mbetur të plagosur. Tre të fundit pas plagosjes ishin dërguar fillimisht në Spitalin e Pejës e më pas sipas aktakuzës ishin ekzekutuar dhe ishin varrosur në fshatin Lutogllavë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pesë persona të tjerë gjatë kësaj ofensive ishin vrarë por trupat e tyre asnjëherë nuk janë gjetur dhe sot figurojnë në listën e personave të pagjetur.

Tutje në aktakuzë thuhet se në po të njëjtin aksion ushtarako-policor, ku bën pjesë edhe i pandehuri, rreth 40 persona u arrestuan të cilët u dërguan në një garazh të quajtur “ Shupa e Shemit”,  vend ky i cili gjendej pranë nënstacionit policor në Ozdrim dhe aty të njëjtit ishin mbajtur për rreth 3 ditë në kushte çnjerëzore në kundërshtim me të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare.

Në aktakuzë thuhet se të njëjtit ishin privuar nga ushqimi dhe uji i pijshëm, duke i torturuar fizikisht të arrestuarit, e ku pas tri ditëve, vetëm 12 prej tyre ishin liruar. Kurse për  28 prej tyre, i kishin ndarë në tri grupe e kishin transportuar në Pejë, në një shtëpi private ku kishte qenë e vendosur komanda e ushtrisë serbe.

Dosja e Prokurorisë shpjegon se të njëjtit ishin marrë në pyetje duke u torturuar e keqtrajtuar në mënyre mizore deri në momentin kur i kishin dërguar në burgun e Pejës, e nga aty i kishin dërguar në burgun e Leskovcit në Serbi, ku kishte vazhduar tortura dhe deri sa në fund ishin liruar pas përfundimit të luftës me ndihmën e Kryqit të Kuq.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998-1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.