Ndërpritet seanca ndaj Millorad Gjokoviq, i akuzuar për krime lufte në Ozdrim të Pejës

 

“Thirrem në deklaratën time të dhënë më datën 08.10.2024, që nuk do të marrë pjesë në këtë procedurë penale deri në fund deri sa nuk marrë ndonjë sqarim nga ju qoftë në mënyrë verbale apo në mënyrë të shkruar, që sipas cilit nen të ligjit nuk mund të pranoj dokumentet, e cila ligjërisht më takon”.

Kështu deklaroi i pandehuri Millorad Gjokoviq në seancën e datës 28.10.2024, duke deklaruar se nuk ishte pajisur me të gjitha dokumentet, proces-verbalet e seancave dhe se për këtë arsye nuk do të mund të vazhdojë me marrjen në pyetje ndaj dëshmitarit Halit Gashi.

Millorad Gjokoviq akuzohet se gjatë viteve 1998-1999 në fshatin Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth, në kundërshtim me rregullat e së drejtës ndërkombëtare, kishte aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, keqtrajtimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore.

Lidhur me deklarimin e të akuzuarit Gjokoviq për mos pajisjen e tij me shkresat e lëndës, kryetari i trupit gjykues Valon Kurtaj e njoftoi të njëjtin se gjykata ia ka dorëzuar të gjitha këto shkresa mbrojtjes dhe shtoi se kur i akuzuari ka të angazhuar mbrojtës gjykata komunikon me mbrojtësin e tij.

Tutje, gjyqtari Valon Kurtaj kërkoi nga i pandehuri që të bëjë kërkesë përmes mbrojtjes ose qendrës se paraburgimit që t’i listojë dokumentet të cilat i nevojiten.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Millorad Gjokoviq, avokati Vasilije Arsiq deklaroi se i mbështet fjalët e klientit të tij dhe kërkoi nga gjykata që seanca e sotme të ndërpritet.

Gjatë seancës prokurori special Ilir Morina pati vërejtje ndaj sjelljes së të pandehurit Millorad Gjokoviq në seancë.

Pas kësaj trupi gjykues i tërhoqi vërejtjen të akuzuarit duke i thënë që të mos pengojë rrjedhën e procedurës gjyqësore ose në të kundërtën gjykata do ta përjashtojë nga salla e gjykimit.

Ndërsa, mbrojtësi tjetër i të akuzuarit Gjokoviq, avokati Dejan Vasiq  kërkoi nga gjykata që të ia tërheqë vërejtjen edhe prokurorit special.

Tutje, gjyqtari Valon Kurtaj lidhur me deklarimin e të akuzuarit Millorad Gjokoviq për mos pajisjen e shkresave, njoftoi palët se nga një verifikim i bërë me administratën e qendrës së paraburgimit deklaroi se janë njoftuar se të gjitha dokumentet, shkresat të cilat i janë dorëzuar qendrës së paraburgimit i janë dorëzuar edhe të akuzuarit në qelinë e tij.

Gjyqtari Kurtaj po ashtu tha se për këtë fakt gjykata do t’i drejtohet qendrës së paraburgimit edhe me shkrim që të njoftohet zyrtarisht se a janë dërguar këto dokumente.

Tutje seanca e sotme u ndërpre.

Ndryshe, në këtë seancë ishte paraparë të parashtrojë pyetje i akuzuari Millorad Gjokoviq ndaj dëshmitarit Halit Gashi, dhe po ashtu ishte paraparë të dëgjohej edhe një dëshmitarë tjetër.

Kjo çështje penale po udhëhiqet nga Valon Kurtaj – kryetar, anëtarët Arben Hoti dhe Vesel Ismajli.

 

Çfarë thotë dosja e prokurorisë?

Sipas dosjes së prokurorisë, i pandehuri gjatë kohës së luftës në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare kishte aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore.

Sipas aktakuzës i njëjti tutje kishte dëbuar dhe deportuar dhjetëra civilë shqiptarë si dhe kishte aplikuar masat e mbajtjes në kushte të skllavërisë. Personat që kanë qenë të dëmtuar nga këto veprime të të pandehurit kanë qenë shqiptarë, të cilët nuk kanë marrë pjesë në konflikt.

Tutje sipas aktakuzës i pandehuri në mëngjesin e majit të vitit 1999, duke marrë pjesë së bashku me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, fillimisht e kishin rrethuar fshatin Ozdrim, e pastaj kishin filluar një ofensive ushtarake-policore.

Në aktakuzë thuhet se fshati ishte rrethuar e më pas ishte sulmuar nga tri drejtime nga forcat ushtarake-policore serbe. Nga këto veprime kishin mbetur të vrarë gjashtë persona, të cilët ishin civilë të nacionalitetit shqiptar e tre të tjerë kishin mbetur të plagosur. Tre të fundit pas plagosjes ishin dërguar fillimisht në Spitalin e Pejës e më pas sipas aktakuzës ishin ekzekutuar dhe ishin varrosur në fshatin Lutogllavë.

Gjithnjë sipas aktakuzës pesë persona të tjerë gjatë kësaj ofensive ishin vrarë por trupat e tyre asnjëherë nuk janë gjetur dhe sot figurojnë në listën e personave të zhdukur.

Tutje në aktakuzë thuhet se në po të njëjtin aksion ushtarako-policor, ku bën pjesë edhe i pandehuri, rreth 40 persona u arrestuan të cilët u dërguan në një garazh të quajtur “ Shupa e Shemit”,  vend ky i cili gjendej pranë nënstacionit policor në Ozdrim dhe aty të njëjtit ishin mbajtur për rreth 3 ditë në kushte çnjerëzore në kundërshtim me të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare.

Në aktakuzë thuhet se të njëjtit ishin privuar nga ushqimi dhe uji i pijshëm, duke i torturuar fizikisht të arrestuarit, e ku pas tri ditëve, vetëm 12 prej tyre ishin liruar. Kurse për  28 prej tyre, i kishin ndarë në tri grupe e kishin transportuar në Pejë, në një shtëpi private ku kishte qenë e vendosur komanda e ushtrisë serbe.

Dosja e prokurorisë shpjegon se të njëjtit ishin marrë në pyetje duke u torturuar e keqtrajtuar në mënyre mizore deri në momentin kur i kishin dërguar në burgun e Pejës, e nga aty i kishin dërguar në burgun e Leskovcit në Serbi, ku kishte vazhduar tortura dhe deri sa në fund ishin liruar pas përfundimit të luftës me ndihmën e Kryqit të Kuq.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në link

 

Ky artikull është mundësuar përmes mbështetjes së YIHR KS si partner implementues i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e plotë e Internews Kosova dhe nuk reflekton pikëpamjet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID, Qeverisë së Shteteve të Bashkuara ose Nismës së të  Rinjve për Të Drejta të Njeriut (YIHR KS).