Foto: KALLXO.com

Ndërpritet seanca ndaj biznesmenëve që dyshohen se me dokumente fiktive fituan tender në vlerë 1.3 milion euro

Gent Pupa, Shahin Skeja dhe Bekim Syla janë ulur në bankën e të akuzuarve për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë.

Ata po akuzohen se me dokumente të falsifikuara fituan kontratën nga Komuna e Prizrenit, e cila peshonte 1.3 milion euro.

Të akuzuarit e lartcekur si pronarë dhe përfaqësues të kompanisë private “NABS” Sh.P.K. dhe “Cons ENG”, dyshohen se fituan jashtëligjshëm kontratën për instalimin e ndriçimit publik dhe riparimin e ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit.

Gjatë seancës së sotme, mbrojtësit e të akuzuarve deklaruan se në Gjykatën e Prizrenit ditë më parë përmes postës kanë deponuar kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave por se kërkesa nuk kishte arritur në këtë Gjykatë.

“Me datë 15-16 shtator, kam parashtruar kërkesë për hedhje të akuzës dhe kundërshtim të provave por që nuk e di përse ende nuk paska arritur në Gjykatë” – tha avokati Arianit Koci.

Edhe avokatët Naim Rudari dhe Arbër Guta deklaruan se kanë parashtruar kërkesë por që edhe pasi ishte vulosur dhe pranuar ajo nuk i ishte dorëzuar gjyqtarit.

Ndërkaq, prokurorja e çështjes, Merita Kurtishi-Gaga, deklaroi se as Prokuroria nuk posedonte të njëjtat shkresa.

Në këto rrethana, me pajtimin e palëve, seanca u ndërpre dhe ajo e radhës u caktua për më 28 shtator.

Sipas Prokurorisë, Gent Pupa, Shahin Skeja dhe Bekim Syla akuzohen për përfitimin e një kontrate publike nga Komuna e Prizrenit përmes falsifikimit të dokumenteve.

Gent Pupa dhe Shahin Skeja, pronarë të kompanisë private “NABS” Sh.P.K., dhe Bekim Syla, pronar i kompanisë “Cons ENG”, dyshohet se përfituan jashtëligjshëm kontratën që peshonte 1.3 milion euro.

Sipas Prokurorisë, më 26 qershor të vitit 2020, të pandehurit me qëllim të plotësimit të kushteve për pjesëmarrje në tender prezantojnë faturën fiktive të datës 1 maj 2020, kinse kanë në pronësi “Semaforë mobil për menaxhimin e trafikut në rrugë”.

Tutje dosja thotë se të akuzuarit po ashtu prezantojnë listën fiktive të punëtorëve kinse i kanë 10 punëtorë të punësuar, me të cilin veprim arrijnë të bindin autoritetin kontraktues dhe përfitojnë lidhjen e kontratës të datës 22 shkurt 2021, me ç’rast përfitojnë në vlerë të kontratës shumën prej 1,394,853 euro.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, “NABS” SH.P.K. akuzohet se më 26 qershor të vitit 2020, përmes personave përgjegjës – pronarëve, Gent Pupa dhe Shahin Skeja, përdorën dokumentet e falsifikuara si origjinale.

Ata thuhet se kanë lëshuar faturën me përmbajtje të rreme, me përshkrim: “1.shenja standarde të trafikut, 2. Karrocë sinjalizuese për devijim të qarkullimit, 3. semafor mobil për menagjimin e trafikut në rast të bllokimit të një shiriti qarkullues Ecoquartz” kinse ky subjekt ia ka shitur të pandehurit “NABS” Sh.P.K. këto pajisje”.

Me këto veprime të akuzuarit sipas Prokurorisë ngarkohen se kanë kryer veprën penale – keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, si dhe – falsifikim i dokumenteve.

Shkrimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.

Shënim: Më 21.09.2022, në ora 13:16, është përditësuar teksti me të dhëna shtesë.