Ndërpritet seanca e Kuvendit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur që ta shqyrtojë edhe pikën e fundit të seancës së sotme, e që ishte formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar.

Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci tha se nuk ka kuorum për të vazhduar tutje.

“Jemi 48 të pranishëm në sallë, që rrjedhimisht nuk kemi kuorum. Ashtu siç jeni në njohuri është shtjerrë diskutimi për të gjitha pikat e planifikuara, përveç votimeve për çka nuk kemi pasur kuorum. Sipas rregullores në rend të ditës është interpelanca me ministrin e Punëve të Brendshme, por meqenëse askush nga qeveria nuk është i pranishëm, unë propozoj që të ndërprejnë këtu punimet e kësaj seance dhe për vazhdimin e saj të vendoset për mbledhjen e kryesisë dhe do të njoftoheni me kohë”, tha ajo.

Paraprakisht, grupet parlamentare bën të ditur emrat që do të jenë pjesë e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Nga Lëvizja Vetëvendosje janë propozuar Salih Zyba, nënkryetar dhe anëtarët Alban Hyseni dhe Arta Barajlia. Nga LDK-së, nënkryetar Ilir Ferati dhe anëtarët Rrezarta Krasniqi dhe Ardian Shala.

Nga PDK-ja janë caktuar, Ariana Musliu-Shoshi dhe Besa Ismaili, ndërkaq, nga AAK-ja deputeti Rasim Selmanaj. Kurse, nga Nisma, deputeti Veton Berisha.