Zyrat dhe korridoret e QKUK-së | Foto: Gazeta JNK

Ndërpritet puna në dy salla operative të QKUK-së

Puna në sallat operative në dy Klinika në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është ndërprerë.

Salla operative në Klinikën e Kirurgjisë Plastike dhe ajo në atë të Kirurgjisë Maksillofaciale nuk janë duke punuar për shkak të punimeve në zgjerimin e këtyre sallave si dhe ndërrimin e ashensorëve (lifteve).

Sipas një njoftimi të Shërbimit Spitalor ashensorët nuk janë ndërruar për 50 vjet dhe gjatë kryerjes së punimeve mund të shkaktohet pluhur. Sipas tyre ndërprerja e punës së sallave është bërë me qëllim që mos të ketë pengesa në sallë deri në montimin e liftit të ri.

Puna në këto dy klinika do të rifillojë gjatë javës, ka njoftuar ShSKUK-ja dhe se sallat kanë ndërprerë punën vetëm për programin jo emergjent (elektiv).

ShSKUK gjithashtu ka njoftuar edhe për përgatitjen e sallës së dytë operative në Neurokirurgji.

Sipas tyre, kjo klinikë ka pasur listë të gjatë të pritjes së pacientëve për shkak të mungesës së sallës.

“Për  neurokirurgji  kemi përgatitur sallën e dytë operative, që ka qenë kërkesë për vite të tëra nga kjo klinikë, ngase janë krijuar lista të gjata të pritjes për operacione. Deri tani, salla e kirurgjisë plastike dhe neurokirurgjisë kanë funksionuar afër njëra- ​tjetrës dhe jashtë standardeve që kërkohen, kurse me investimet e reja do të krijohen kushtet e nevojshme”, ka përfunduar komunikata.