Seanca gjyqësore ndaj Faredin Gashit | Foto: KALLXO.com

Ndërpritet gjykimi ndaj Fahredin Gashit i akuzuar se në bashkëkryerje ka kryer vrasje të rëndë

Seanca e sotme e zhvilluar kundër të akuzuarit Fahredin Gashi, është ndërprerë pas trajtimit të ekspertizës së ekspertit mjekësor.

Gjykata kishte angazhuar ekspertin mjekësor që të vlerësojë aftësinë e të akuzuarit për tu mbrojtur në gjykimin kundër tij.

Sot eksperti mjekësor konstatoi se gjendja aktuale shëndetësore e të akuzuarit ia pamundëson atij mbrojtjen, konsultimin me avokat dhe prezencën në seancë.

Ndërprerjen e procesit e kërkoi edhe avokati mbrojtës, Tahir Rrecaj, i cili deklaroi se mbi 5 vite as nuk e ka vizituar të mbrojturin e tij Gashi në burg, sepse ai nuk e njeh.

“I mbrojturi im nuk e kupton përgjegjësinë e tij, nuk është në gjendje të mbrojë veten, nuk konsultohet me mua, madje unë që 5,6 vite as nuk e kam vizituar në burg sepse kur kam shkuar nuk më njihte dhe më pyeste se kush jam unë” – tha avokati Rrecaj.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Vesel Ismajli mori vendim që të ndërpritet shqyrtimi dhe të bëjnë vlerësimin e gjendjes faktike për rastin në fjalë.

Fahredin Gashi është i akuzuar me aktakuzë të prokurorit special të Misionit Europian për Sundimin e Ligjit.

Ai akuzohet se në bashkëkryerje me Nazim Bllacën e të tjerë, kryen vrasje të rëndë ndaj Ibush Kllokoqit.

Për këtë vrasje Nazim Bllaca kishte bashkëpunuar me prokurorinë, kishte pranuar fajin dhe i është shqiptuar dënim minimal prej 4 vjet e 6 muaj burg.

“Fahredin Gashi është personi që ia ka dhënë Nazim Bllacës revolen “Scorpion” për të vrarë Ibush Kllokoqin. Shpresim Uka ka pritur afër shtëpisë së viktimës, derisa Nazim Bllaca, Sadik Abazi, Fahredin Gashi dhe Bekim Syla kanë trokitur në derën e shtëpisë së Kllokoqit. Kur viktima është paraqitur në derë, Bllaca e ka qëlluar” – përshkruhet në aktakuzë mënyra si është vrarë Kllokoqi.

Nazim Bllaca e ka pranuar fajin, thuhet edhe në aktakuzë.

“Siç dihet, Nazim Bllaca fillimisht ka pranuar vrasjen e viktimës Ibush Kllokoqi në një deklaratë të xhiruar. Më 30 nëntor 2009, kur ai është intervistuar si i pandehur, z. Bllaca përsëri ka pranuar përgjegjësinë e tij”.

Sipas prokurorit, dy gjykimet — ai ku Fahredin Gashi është akuzuar për krime të luftës kundër popullatës civile dhe tjetri, ku pesë persona janë gjykuar për vrasje –janë zhvilluar bazuar në deklaratat e Bllacës.

Fahredin Gashi gjithashtu është i akuzuar edhe në rastin “Toka”, për krim të organizuar, shpëlarje parash, marrje e mitës, mashtrim i rëndë e vepra të tjera.