
Foto: Lumir Abdixhiku/Facebook
Ndërpritet gjendja emergjente në Deçan
Sot është ndërprerë gjendja emergjente në Deçan, e shpallur gjashtë ditë më parë pas helmimit të rreth 1,500 qytetarëve të fshatrave të komunës së Deçanit që dyshohet se ishte nga uji.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, përmes një postimi në Facebook.
“Të nderuar qytetarë të komunës së Deçanit, pasi që gjendja në komunën tonë ka filluar të normalizohet. Sot, në mbledhjen e Shtabit për Menaxhimin e Emergjencave, morëm Vendimin për ndërprerjen e Gjendjes Emergjente në Komunën e Deçanit. Falënderues dhe mirënjohës të gjithë atyre që kontribuuan që të tejkalohet kjo gjendje”, ka shkruar Ramosaj.
Institucionet shëndetësore në Deçan qysh nga fundjava e kaluar ishin duke u përballur me fluks pacientësh, që raportonin simptoma të helmimit.
Sipas testimeve të fundit të bëra nga Instituti i Shëndetit Publik doli që një pjesë e ujit të pijes nga ujësjellësi “Hidrodrini” është i kontaminuar me baktere.
Ndërsa, Prokuroria e Pejës është duke vazhduar hetimet lidhur me shkaktarin e helmimeve në Deçan.
Deçani furnizohet me ujë nga ujësjellësi rajonal “Hidrodrini”. “Hidrodrini” furnizon me ujë edhe komunat: Pejë, Istog, Klinë dhe Junik.