Ilustrim

Ndërpriten të gjitha fluturimet në ardhje me udhëtarë në Aeroportin e Prishtinës

Të gjitha fluturimet me udhëtarë në ardhje janë ndërprerë në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.

Sipas njoftimit të aeroportit, në mesnatë ka hyrë në fuqi ndërprerja e përkohshme e të gjitha fluturimeve në ANP “Adem Jashari”, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 13 mars për ndërmarrjen e masave me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit COVID-19 në vendin tonë.

Aeroporti ka njoftuar se pezullimi i përkohshëm vlen për të gjitha fluturimet me udhëtarë në bord, që arrijnë në ANP “Adem Jashari” përveç fluturimeve në shkuarje, pra nga Prishtina në drejtim të destinacioneve të ndryshme.  Inspektorët e AAC-së, sot, e kanë monitoruar për së afërmi zbatimin e këtij vendimi.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 16 persona të prekur me virusin COVID-19. Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus.

Ndërkaq, tre persona të prekur me coronavirus janë identifikuar në Aeroportin e Prishtinës pasi erdhën nga Londra.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka shpallur gjendjen emergjente pas situatës me rrezikun e shpërndarjes së këtij virusi.

Momentalisht në botë numërohen mbi 180 mijë të infektuar me këtë virus, dhe mbi 7 mijë kanë vdekur.

Vendet më të prekura në botë nga virusi janë Kina dhe Italia.