Bari natyral në stadiumin Fadil Vokrri | Foto: FFK

Ndërpriten aktivitetet sportive në stadiumin "Fadil Vokrri", shkak rritja e barit natyral

Stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në 25 ditët e ardhshme, duke filluar nga dita e sotme, me 12.09.2024 do të jetë i mbyllur për të gjitha aktivitetet sportive.

Kjo u bë e ditur përmes një postimi në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës.

“Në 25 ditët e ardhshme, duke filluar nga dita e sotme, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nuk do të ketë asnjë aktivitet sportiv, as ndeshje as seanca stërvitore, sepse fusha do të punohet për të arritur qëllimin e të gjithëve, kompletimin e fushës hibride me rritjen e barit natyral në të”- thuhet në njoftim.

Ndërsa, sipas doktorit të agronomisë dhe ekspertit të fushave nga UEFA, Dr.Tugrul Hocaoglu një gjë e tillë është e nevojshme pasi që bari natyral është në proces të rritjes.

Mirëpo, Hocaoglu tha se “moti që po mbretëron është në favor të këtij procesi dhe puna do të kryhet intensivisht për një muaj”.

Në njoftim thuhet se aktivitetet në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” do të rikthehen për ndeshjen e radhës të Kombëtares së Kosovës me 15 tetor.