Ndërprerja e punimeve në rrugën ‘Ahmet Gashi’ në kryeqytet, ankohen banorët
Pluhuri nga veturat dhe vështirësitë e tjera në qarkullim, po paraqesin vështirësi për banorët, bizneset dhe qytetarët e tjerë që frekuentojnë rrugën “Ahmet Gashi” në lagjen “Mati 1” në Prishtinë.
Kjo pasi që, siç tregojnë banorët, për më shumë se tre javë janë ndërprerë punimet për rregullimin e kësaj rruge të cilat kishin filluar që nga qershori i këtij viti.
Ndërprerja e punimeve, siç tregojnë ata, është duke i’u shkaktuar vështirësi.
“Në vazhdimësi po ka pluhur, as ballkonet nuk po mundemi me i përdorë, për shkak se po ka qarkullim të automjeteve, po ngritet pluhuni edhe krejt ballkonet, në krejt banesat nuk po mundemi as me i hap xhamat, as dyert e ballkoneve që me ajros banesën, shkaku i pluhurit”, thotë Vedat Shehu, banor i kësaj lagjeje.
Siç tregon ai, komuna që nga ndërprerja e punimeve nuk ka dhënë asnjë arsyetim për këtë gjendje, ndonëse punimet e kësaj rruge sipas tij do duheshin të përfundonin kohë më parë, duke qenë se është rrugë e shkurtër.
“Na jena gëzu shumë kur komuna ka marrë vendim me e rregullu rrugën për shkak të gjendjes që ka qenë, mirëpo nuk po besoj që është në rregull me marr kaq shumë kohë një rrugë që është kaq e shkurtër me përfundu”, ka thënë Shehu.
Edhe për banorët tjerë, shqetësimet janë të njëjta.
“Pluhur po bëhet shumë, është shumë problem me hy në atë rrugë… Ata kanë pas me i fillu punimet, me 1 shtator asfaltimi me u ba”, ka thënë Shukri Fetoshi, banor tjetër.
Ndërsa Hana Hasanit, kjo gjendje po i shkakton problem edhe për biznesin e saj, pranë kësaj rruge.
“Keq është tepër, na kanë thanë që me 15 shtator kryhet, por nuk u kry. Korriku, gushti, shtatori, qeshtu është”, ka thënë ajo.
Menaxheri i kontratës në kuadër të Drejtorisë së Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave në Komunën e Prishtinës, Ibrahim Gërvalla thotë se pengesat pronësore dhe kërkesa e banorëve për largimin e shkallëve që gjenden në trotuare, të cilat siç thotë ai, nuk janë pjesë e kontratës së nënshkruar, kanë bërë që punimet të ndalen përkohësisht.
Megjithatë, Gërvalla thotë se punimet do të rifillojnë brenda ditëve.
“Jemi në bisedime me banorët të cilët kanë bërë pengesa dhe besoj që brenda dy tre ditëve i zgjidhim këto probleme dhe rifillojmë punimet. Përndryshe instalimet nëntokësore kanë përfunduar në këtë rrugë, ujësjellësi, kanalizimi fekal, atmosferik dhe kablloviku”, thuhet në përgjigjen e Gërvallës, ndonëse këta banorë tregojnë se deri më tash nuk kanë pasur asnjë komunikim me komunën lidhur me këtë.