Ndalet rryma në Gjykatën e Prishtinës, 3 tetor 2022 - Foto: KALLXO.com

Ndërprerja e energjisë elektrike, dështon seanca ndaj ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës

Sot ka dështuar të mbahet seanca ndaj ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, shkaku i ndërprerjes së energjisë elektrike.

Të akuzuar janë ish-inspektorët e Komunës së Prishtinës, Ismail Halili, Vehbi Abdullahu, Skender Canolli dhe Mërgim Shala, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Shkak për mosmbajtjen e seancës ishte ndërprerja e energjisë elektrike nga KEDS. Të njëjtit kishin njoftuar paraprakisht që do të zhvilloheshin punim në këtë pjesë.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet këtë të premte, më 7 tetor.

Në prill të vitit 2018, dhjetë nga zyrtarët e akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë dënuar nga Gjykata me rreth 20 vite burgim dhe disa prej tyre edhe me gjobë.

Kundër këtij vendimi mbrojtësit e të akuzuarve kanë paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, të cilat janë aprovuar nga kjo e fundit dhe ka kthyer çështjen në rigjykim.

Gjykata pas rigjykimit për herë të dytë ka shpallur fajtorë dhjetë të akuzuarit dhe i ka dënuar secilin me nga 6 muaj burgim dhe me gjobë.

Të pakënaqur me këtë dënim të akuzuarit Haliti, Canolli, Abdullahu dhe Shala kanë ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë pranë Gjykatës Supreme.

Në këto rrethana aktgjykimet e Gjykatës Themelore dhe të Apelit u anuluan nga ajo Supreme, e cila udhëzoi që rasti të rivendoset për herë të tretë.

Ndërkaq, në seancën e 15 dhjetorit të vitit 2021, prokurorja Drita Hajdari e ka ndryshuar aktakuzën si në vijim:

Pika e parë – të akuzuarit Haliti dhe Canolli akuzohen për veprën penale në bashkëkryerje – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Pika e dytë, ku përfshihet objekti “Dodona”, Abdullahu, Haliti e Canolli akuzohen për bashkëkryerje në veprën – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Pika e tretë e aktakuzës së ndryshuar, të pandehurit e lartcekur akuzohen se në formën e bashkëpunimit-bashkëkryerjes kanë kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, ku përfshihet objekti në “Ilirida”, rruga “Xheladin Kurbaliu”.

Ne pikën katër dhe pesë tek objekti nga investitori “Ramiz Sadiku” dhe “Simon Invest” i akuzarit Haliti akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërsa, krejt në fund  të pikave të dispozitivit të kësaj aktakuze të ndryshuar, i akuzuari Shala akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.