Edi Rama, Aleksandar Vuçiq dhe Zoran Zaev - Foto: REL

Ndërkohë që anëtarësimi në BE po ngec, shtetet e Ballkanit po bëjnë lëvizje të diskutueshme për të krijuar Mini-Shengenin e tyre

Të qenit dëshmitar teksa liderët shtetërorë të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ndajnë një moment gëzimi kolektiv nuk është diçka që ndodh çdo ditë, veçanërisht në një rajon të njohur për përçarjet dhe dallimet nga e kaluara.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministri maqedonas Zoran Zaev, shiheshin të gjithë të buzëqeshur teksa shëtisnin nëpër kryeqytetin maqedonas të Shkupit në fund të korrikut pasi nënshkruan një marrëveshje tripalëshe ekonomike në një forum rajonal biznesi.

E quajtur Iniciativa ‘Open Ballkan’ (Ballkani i Hapur), ideja e formimit të një tregu të përbashkët për shtetet që presin anëtarësimin në BE, e cila më parë njihej si Zona Mini-Shengen.

Kjo iniciativë peshon rëndë për tregtinë dhe premton lëvizje të lirë të mallrave dhe qytetarëve dhe qasje të barabartë në tregjet e punës. Vendet pjesëmarrëse do të kursejnë deri në 3.2 miliardë dollarë (2.71 miliardë euro) çdo vit, sipas vlerësimeve të Bankës Botërore.

Një përpjekje e mëparshme ishte bërë gjatë Procesit të Berlinit, një iniciativë bashkëpunimi nën udhëheqjen e Gjermanisë e krijuar për vendet e Ballkanit Perëndimor, e cila asnjëherë nuk arriti qëllimin me një marrëveshje detyruese.

Procesi i Berlinit i filluar në vitin 2014 kishte për qëllim të zbuste rritjen e euroskepticizmit në rajon pasi presidenti i atëhershëm i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker, bëri publik një moratorium pesë-vjeçar për pranimin e shteteve të reja në Bashkimin Evropian.

Shtatë vjet më vonë, vendet e rajonit po përpiqen të tregojnë se mund t’i marrin gjërat në dorën e tyre, me ose pa ndihmën e BE -së.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, majtas, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, në qendër dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, djathtas/AP

Beograd – Tiranë pa asnjë kontroll?

 

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, deklaroi në Shkup se kjo iniciativë ka për qëllim parandalimin e bllokimit të Ballkanit Perëndimor në “një karikaturë të vogël të BE-së, ku për gjithçka duhet të ketë një konsensus dhe të gjithë mund të vendosin bllokada përmes një vetoje”.

Rama, i cili ka qenë gjithnjë e më i zëshëm në kritikat e tij për qasjen e BE-së ndaj anëtarësimit, mori përkrahje nga kryeministri i Maqedonisë së Veriuut, Zoran Zaev. Edhe pse anëtarësimi në BE mbetet një qëllim për të trija këto shtete, “derisa BE të marrë një vendim, ne duhet të gjejmë mënyra për të vazhduar procesin e evropianizimit,” tha Zaev.

Të dy udhëheqësit e lartcekur kanë qenë kritikë ndaj vetos së Bullgarisë në të dyja hapjet zyrtare të bisedimeve të anëtarësimit për shkak të debatit të vazhdueshëm gjuhësor midis të dyve, me Bullgarinë që pretendon se gjuha që flitet në Maqedoninë e Veriut është maqedonase.

Kryeministri serb Vuçiq ishte gjithashtu pozitiv, duke thënë se “është koha t’i marrim gjërat në duart tona dhe të vendosim për fatin dhe të ardhmen tonë” njëkohësisht duke u mburrur me faktin se “nga 1 janari i vitit 2023, askush nuk do t’ju ndalojë nga Beogradi në Tiranë. “

Mirëpo një iniciativë e këtillë duke mos qenë komplete me të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor mund të jetë kontraproduktive dhe të krijojë ndarje të reja në rajon.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në të majtë dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në të djathtë, shtrëngojnë duart pranë kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Kredia: AP

Tensionet rreth Kosovës

Problemi më i madh i kësaj iniciative është Kosova, të cilën Serbia nuk e njeh si shtet të pavarur dhe pretendon se ish – krahina e saj – e vendosur gjeografikisht në mes të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë – është në fakt një pjesë e territorit të saj.

Kosova ka shpallur pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008 pasi ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 rezultoi në tërheqjen e forcave të kontrolluara nga Beogradi nga krahina me shumicë etnike shqiptare. Qysh atëherë, Serbia është përpjekur në mënyrë aktive ta parandalojë Kosovën që të bëhet anëtare e plotë e organizatave ndërkombëtare, siç janë Kombet e Bashkuara, dhe ka rrezikuar ndjeshëm procesin e saj të integrimit në BE. Serbia gjithashtu ka udhëhequr një fushatë ndërkombëtare të ç’njohjes së pavarësisë së Kosovës, në një përpjekje për t’i mohuar statusin e saj.

Ndërkohë që Jugosllavia u shpërbë në vitet 1990, regjimi serb i Slobodan Millosheviqit mori pjesë aktive në krijimin dhe mbështetjen e luftërave dhe konflikteve që prodhoi një humbje të konsiderueshme të jetërave në të gjithë rajonin, veçanërisht në luftrat në Bosnjë dhe Kosovë.

Tani Vuçiq, i cili ishte ministër i informacionit i Millosheviqit në vitet 1990, po e udhëheq këtë iniciativë. 

Udhëheqësia e Kosovës, e prirë nga kryeministri Albin Kurti, e kanë kritikuar iniciativën në fjalë. Në muajin gusht, Kurti deklaroi se ‘Ballkani i Hapur’ është “një Ballkan i hapur për autokraci, korrupsion dhe kriminelë lufte”.

Kjo ilustron tensionet e vazhdueshme mes Kurtit dhe Vuçiqit, por edhe Ramës. Sipas Gjergji Vurmo nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Tiranë, përplasja midis Kurtit dhe Ramës ka degraduar marrëdhëniet tradicionalisht të mira që të dy vendet- të cilat mburren me shumicën etnike shqiptare – i kanë gëzuar kaherë.

“Raporti i vitit të kaluar i Komisionit të BE-së për Shqipërinë kishte një ndryshim shumë interesant,” thekson Vurmo, “të gjitha raportet e tjera të BE-së mbi Shqipërinë mbi bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet me fqinjët kanë vënë në dukje marrëdhënie të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Kosovës”.

Raporti i vitit të kaluar tha se marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën tani janë ‘të mira’ – njësoj si me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, për shembull.

“Pra, ne kemi një lloj konfirmimi zyrtar se marrëdhëniet nuk janë në të mirën e tyre. Dhe unë mendoj se faji duhet të gjendet në të dyja palët. Ndoshta ishte Shqipëria dhe, më konkretisht megaegoja e Ramës, për të luajtur në rajon rolin e liderit i cili kujdeset për Kosovën. Por faji duhet t’u vihet edhe disa politikanëve në Kosovë,” shpjegon Vurmo.

Partia e udhëhequr nga Albin Kurti, Vetëvendosje ose VV, po përpiqet të bëhet një subjekt politik më i vendosur në Shqipëri dhe madje mori pjesë me kandidatë në zgjedhjet e muajit prill që u zhvilluan atje. Duket sikur Kurti po përpiqet të zgjerojë ndikimin e tij politik përtej kufirit, dhe mosmarrëveshjet mbi këtë iniciativë janë një mënyrë për të fituar mbështetjen e atyre që nuk pajtohen me Edi Ramën.

Mirëpo, kjo luftë mes Kurtit dhe Ramës del përtej fokusit mbi çështjet më thelbësore, siç është ajo që ka të bëjë me sundimin e ligjit dhe gjendjen e përgjithshme të demokracisë në rajon, tha Vurmo.

“Për mua personalisht, ajo që ka më shumë rëndësi është a) a është gjithëpërfshirëse? Nuk është. Nuk mund të quhet Ballkan i Hapur me vetëm tri vende anëtare. Dhe b), çfarë do të thotë për demokracinë? Nuk do të thotë absolutisht asgjë,” tha ai dhe shton tutje: “Nuk do të thotë asgjë sepse është një projekt taktik që ka një kuptim për Vuçiqin dhe Ramën, dhe nuk ka kuptim me atë që duan qytetarët.”

“Sepse në fund të ditës, cila është arsyeja kryesore pse investimet e huaja direkte nuk vijnë në Ballkan? Sepse ata nuk i besojnë sistemit gjyqësor.

“A mendoni se biznesmenët tanë në Shqipëri do t’i besonin sistemit gjyqësor në Serbi? Apo në, të themi, në Bosnjë, nëse ata përfundimisht i bashkohen mini-Shengenit? Jo,” përfundon Vurmo.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, majtas, bisedon me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiçq, djathtas, gjatë forumit ekonomik për bashkëpunim rajonal në Shkup, Maqedoni e Veriut/AP

A po përpiqet Vuçiq të plotësojë vakumin e BE -së?

Toby Vogel, analist në Këshillin e Politikave të Demokratizimit, një qendër studimi me bazë në Berlin, beson se për të tillët sikurse Rama dhe Vuçiqi, iniciativa ‘Ballkani i Hapur’ është me të vërtetë një marifet publiciteti që synon të tregojë fuqinë e tyre personale dhe ta krahasojë atë me impotencën e BE -së në rajon.

“Vuçiq po përpiqet të diversifikohet,” thotë Vogel. “Ai është përpjekur për ca kohë tani që të forcojë vërtet marrëdhëniet në rajon – kështu që të mos shihet më si kampion i [vetëm] serbëve.”

“Ambiciet e Vuçiqit janë të mëdha. Ai e sheh veten si lider rajonal dhe natyrisht të qenit lider i të gjithë serbëve është i dobishëm në të gjitha këto, por sapo të përplaset me ambicjen e tij rajonale mendoj se ai do të synojë për rolin rajonal,” shpjegon ai.

Kjo shënon një ndryshim domethënës në strategjinë e Vuçiqit ndër vite, i cili e filloi karrierën e tij politike si një ultranacionalist i zellshëm në Partinë Radikale Serbe, dhe më pas moderoi disa nga pikëpamjet e tij – përfshirë ato mbi anëtarësimin në BE – kur formoi Partinë Progresive Serbe. Vitet e kaluara, Vuçiq zakonisht luante një kartë pro-BE-së në Bruksel ndërkohë që i ruante pikëpamjet nacionaliste në rajon. Vuçiq pretendon se është rritur politikisht me kalimin e viteve.

“Këtë e kemi vërejtur nga historia e vaksinës, ku ishte shumë e qartë se mesazhi ishte ‘ne mund të bëjmë gjëra aty ku BE ka dështuar’,” ilustron Vogel. “Ne po tregojmë solidaritetin tonë me vëllezërit tanë në Maqedoninë e Veriut, Bosnje, dhe kështu me radhë duke u dhënë vaksina ose duke i lënë ata të vijnë të vaksinohen dhe të gjitha këto.”

Mirëpo kur shumë pak vende të Ballkanit bëhen pjesë e kësaj iniciative, përballja e njërës anë kundër anës tjetrër mund të krijojë ndarje të rëndësishme.

Çështje të cilat ende nxisin dhe shkaktojnë shqetësime në Ballkanin Perëndimor, siç është etnonacionalizmi i shfrenuar, ka bërë që Bosnja të jetë e pavendosur për t’u bashkuar me një iniciativë të udhëhequr nga Vuçiq. Disa nga udhëheqësit e Malit të Zi, të tillë si Milo Gjukanoviq, po kundërshtojnë rritjen e nacionalizmit serb atje. Këto çështje nuk do të zgjidhen përmes një qasjeje thjesht ekonomike, beson ai.

“Kushdo që mendon se kjo është një masë për rritjen e besimit, unë mendoj se ata po nënvlerësojnë rreziqet e asaj qasjeje të fokusuar në ekonomi,” tha Vogel.

“Bashkëpunimi ekonomik do të dalë kundër realitetit të tensioneve politike dhe pengesave politike herët a vonë. BE-ja dhe bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi kanë një tendencë për të lëvizur drejt ekonomisë kur çështjet politike bëhen shumë të vështira. Dhe kjo nuk ka funksionuar kurrë sepse çështjet politike do të bëhen një me ato ekonomike, “tha ai.

Por BE -ja në veçanti është e lumtur të shohë se si funksionon kjo, sipas Vogel. “Ka disa njerëz në institucionet e BE-së që janë të gatshëm ta pranojnë këtë – jozyrtarisht, vetëm në mënyrë private – se zgjerimi i mëtejmë i BE-së ka vdekur, anëtarësimi nuk do të ndodhë përveç ndoshta për Serbinë dhe Malin e Zi. Dhe unë mendoj se ata po mendojnë në lidhje me alternativat tjera,” shpjegon Vogel.

Dhe, pavarësisht se vendet e rajonit ende kanë synimet e tyre për t’u bërë anëtarë të BE-së, nisma ‘Ballkani i Hapur’ nuk do të ishte një kartë mjaft e fortë ngushëllimi në vend të anëtarësimit në BE.

“Ne kemi pasur më shumë se 25 vjet bisedime të devotshme për integrimin e rajonit, paqendërtimin, reformën, sundimin e ligjit dhe vlerat evropiane. Unë mendoj se do të ishte mjaft e vështirë për zyrtarët e BE-së që papritur të deklaronin “mirë, tani ju keni zonën tuaj mini-evropiane ekonomike në Ballkan, kështu që, misioni u përmbush,’” shtoi ai.

“Megjithatë, mund ta shoh atë që po ndodh, sepse BE është këmbëngulëse në kërkim të një niveli suksesi dhe të pranojë atë që është e qartë për të gjithë ne – se ajo po shkëputet nga rajoni në shumë drejtime dhe mënyra.”

 

Linku: https://www.euronews.com/2021/08/31/as-eu-membership-stalls-balkan-countries-make-controversial-move-to-create-their-oën-mini-