Logo e NP KRU" Prishtina"

Ndërhyrje ilegale në rrjetin e ujësjellësit, disa zona të Hajvalisë mbesin pa ujë

Ujësjellësi ‘Prishtina’ ka njoftuar se disa zona në fshatin Hajvali do të mbesin pa furnizim me ujë për shkak të ndërhyrjeve ilegale në sistemin e rrjetit të ujësjellësit.

Përmes një komunikate për media, KRU “Prishtina” ka thënë se ndërhyrjet ilegale janë të papranueshme dhe dëmtojnë konsumatorët në afërsi të ndërhyrjes e më gjerë dhe si shkak ata janë pa ujë.

Sipas tyre deri nesër sanimi nuk mund të realizohet ngase ata kanë dëmtuar trupin e valvolës.

“Nesër, ekipet e mirëmbajtjes dhe operimit do të merren me atë sanim, me ç’rast konsumatorët e zonës më të madhe të Hajvalisë deri në sanimin përfundimtar do të jenë pa ujë të pijshëm, pra deri ditën e nesërme.Për shkak të këtij defekti nga persona të paautorizuar, gjatë ditës së nesërme, 22 qershor, e hënë, duke filluar nga ora 10:00 – 14:00 ,furnizimi me ujë të pijshëm do të ndërprehet përkohësisht në Graçanicë, Hajvali, Veternik dhe Zona Qendër e Bregut të Diellit, Lagja e Spitalit dhe Mati 1”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, intervenimi nga ana e ekipeve të mirëmbajtjes dhe operimit duhet të realizohet në gypin magjistral Badoc-Prishtinë dhe krejt për shkak të dëmtimit të valvolës në Hajvali, nga persona të papërgjegjshëm.

KRU “Prishtina” ka kërkuar që qytetarët ti raportojnë në kompani ndërhyrjet ilegale në gypa.