Salla e Kuvendit e fotografuar në kohën kur është dfashur të fillojë seanca. Foto: Kallxo.com

Ndarja gjinore e Kuvendit, sërish shumicën e bëjnë burrat

Në zgjedhjet e parakohshme nacionale të mbajtura me 6 tetor nga 120 deputetë të zgjedhur 39 do të jenë gra dhe 81 burra.

Në legjislaturën e kaluar ishin 38 gra e 82 burra.

Sipas Ligjit për Barazi Gjinore, 30 përqind e deputetëve duhet të jenë të gra.

Dje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, ku Lëvizja Vetëvendosje doli e para me 32 deputetë të siguruar, pas saj renditet LDK-ja me 29 deputetë, PDK me 25 deputetë, koalicioni AAK-PSD 14 deputetë. Ndërsa partitë që legjislaturën e kaluar ishin pjesë e Kuvendit si NISMA dhe AKR-ja nuk e kaluan pragun zgjedhor, kurse PSD-ja do të përfaqësohet vetëm nga një deputet në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje si fituese do të përfaqësohet nga 11 deputete gra dhe 21 burra.

Deputetet e zgjedhura të Vetëvendosjes janë Albulena Haxhiu, Mimoza Kusari-Lila, Saranda Bogujevci, Yllza Hoti, Labinotë Demi-Murtezi, Arbërije Nagavci, Fitore Pacolli, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, Fatmire Kollçaku, Fjolla Ujkani dhe Arta Bajralia.

Tek Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), janë zgjedhur 9 deputete dhe 20 deputetë.

Kandidatja për kryeministre nga kjo parti, Vjosa Osmani, i prin deputeteve  të zgjedhura, për tu pasuar nga Marigona Geci, Vlora Limani-Hajnuni, Rrezarta Krasniqi, Lirije Kajtazi, Hykmete Bajrami, Doruntinë Maloku-Kastrati, Besa Gaxherri dhe Valentina Bunjaku-Rexhepi.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) që në këto zgjedhje doli e treta, do të përfaqësohet nga 8 deputete gra, nga 25 gjithsej sa i ka siguruar. Deputetet e zgjedhura nga PDK-ja janë Eliza Hoxha, Ariana Musliu-Shoshi, Ganimete Musliu, Evgjeni Thaçi-Dragusha, Blerta Deliu-Kodra, Besa Ismaili-Ahmeti, Floretë Zejnullahu dhe Valdete Idrizi.

Nga 14 deputetë që ka marrë koalicioni AAK-PSD, 5 prej tyre do të jenë gra. Kandidatet që e kanë siguruar ulësen  nga ky koalicion janë Time Kadrijaj, Albena Reshitaj, Teuta Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Natyra Kuçi, si e vetme nga PSD-ja.

Lista Serbe do të ketë vetëm 3 gra deputete, nga 10 ulëse që ka siguruar në Kuvend. Ato janë Jasmina Dedic, Verica Ceranic dhe Miljana Nikolic.

Ndërsa partitë minoritete si Vakat, Kosova Demokratik Turk Partisi (KDTP) dhe Nova Demokratska Stranka (NDS) do të përfaqësohen me nga një deputete gra, të cilat janë Duda Balje nga Vakat, Fidan Jilta nga KDTP dhe Emilija Redzepi nga NDS.

Në legjislaturën e kaluar në Kuvend ishin 38 deputete gra dhe 82 deputetë burra. Koalicioni PAN kishte 12 deputete gra, Vetëvendosje 10, koalicioni LAA 9, Lista Serbe 4 dhe partitë minoritete 3.