
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Presidenti i Gambisë, Adama Barrow. Foto: Zyra e Presidencës së Kosovës
Ndaras në New York, Osmani takon presidentin e Gambisë e Kurti pritet nga Princi i Kuvajtit
Gjatë kohës sa po qëndrojnë në New York, sot [26.09.2024] presidentja Vjosa Osmani është takuar me homologun nga Gambia, Adama Barrow, ndërsa kryeministri Albin Kurti është pritur nga Princi i Kuvajtit, Sabah Khaled Al-Hamad Al Sabah.
Osmani tha se diskutimi me Barrow ishte i frytshëm dhe mundësi e shkëlqyer për të rikonfirmuar përkushtimin e përbashkët për forcimin e marrëdhënieve midis dy shteteve si dhe për të avancuar bashkëpunimin.
Ndërkohë, Kurti në anën tjetër, gjatë takimit me Princin e Kuvajtit ka folur për potencialin investues në vend dhe mundësinë e zgjerimit të investimeve të kompanive nga Kuvajti në Kosovë në fusha si energjia e ripërtëritshme, agrikultura e infrastruktura.

“Kryeministri Kurti i ftoi kompanitë kuvajtiane që të vijnë të investojnë e zgjerojnë fushëveprimtarinë e tyre edhe në Kosovë duke operuar në një ambient të sigurt të të bërit biznes si dhe shtoi mundësinë e mbajtjes së një forumi investitorësh për bizneset në Kosovë” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Kryeministri ka falënderuar Princin për mbështetjen e Kuvajtit ndaj Kosovës.
Në këtë takim, ai u shoqërua nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, zëvendësja e saj, Liza Gashi dhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York, Blerim Reka.
Përderisa Presidentja Osmani ka një javë që po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Kurti ka udhëtuar të mërkurën më 25.09.2024.
Të dy do të marrin pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.