Ndalohet shtetasi rus në kufi, i gjenden 10 mijë dollarë e 2 mijë euro të padeklaruara

10 mijë dollarë e 2 mijë euro të padeklaruara janë gjetur tek një shtetas rus, i cili është ndaluar nga Policia e Kosovës në kufi gjatë ditës së djeshme.

Paratë e padeklaruara janë gjetur gjatë kontrollit të veturës së tij, BMW, ngjyrë hiri dhe një çantë personale.

Sipas Policisë, i dyshuari me iniciale E.S., 26-vjeçar, është i lindur në Rusi.

“Automjeti nga autoritetet kompetente kufitare të Kosovës është selektuar në vijën e dytë të kontrollit dhe gjatë kontrollit së bashku me doganën, në brendësinë e automjetit, në bagazhin e automjetit, në një çantë personale, janë gjetur sasi e mjeteve monetare të padeklaruara” – ka thënë Policia.

Tutje është thënë se 10 mijë dollarët ishin 100 copa nga 100 dollarë dhe 2 mijë eurot ishin 40 copa nga 50 euro.

Policia ka treguar se për rastin janë njoftuar hetimet rajonale kufitare policore, prokurori i shtetit dhe iniciohet rasti për “mosdeklarim të mjeteve monetare”.

Po ashtu, është treguar se rasti i dorëzohet Doganës së Kosovës për procedurë të mëtutjeshme ligjore.