Ferizaj - 17.03.2020

Ndalohet qarkullimi i taksive në Ferizaj

Me vendim të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, si masë mbrojtëse kundër paraqitjes e përhapjes së epidemisë COVID-19, të gjitha mjeteve të transportit publik – taksi, iu ndalohet qarkullimi deri në një njoftim të ri.

Kjo për shkak se qarkullimi me këto mjete, paraqet ekspozim ndaj rrezikut të shpërndarjes së virusit. Madje, ndalesa vlen përveç për taksitë që frekuentojnë përgjatë gjithë territorit të Ferizajt, i ndalohet futja e qarkullimi brenda kufijve administrativ të Ferizajt edhe taksive nga komunat fqinje e vende të tjera.

Kjo masë mbrojtëse është e domosdoshme, zbatimin e së cilës do ta bëjnë Inspektorati i Komunës dhe Policia e Kosovës – Stacioni Policor në Ferizaj.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 16 persona të prekur me virusin COVID-19. Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus.

Ndërkaq, tre persona të prekur me coronavirus janë identifikuar në Aeroportin e Prishtinës pasi erdhën nga Londra.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka shpallur gjendjen emergjente pas situatës me rrezikun e shpërndarjes së këtij virusi.

Momentalisht në botë numërohen mbi 180 mijë të infektuar me këtë virus, dhe mbi 7 mijë kanë vdekur.

Vendet më të prekura në botë nga virusi janë Kina dhe Italia.