Aleksandar Arsenijeviq duke u rezistuar policëve që e shoqëruan në stacion policor, më 02.10.2024.

Ndalohet për 48 orë politikani serb i Kosovës, Aleksandar Arsenijeviq

Politikani serb i partisë Demokracia serbe, Aleksandar Arsenijeviq, është ndaluar për 48 orë nga Policia e Kosovës si i dyshuar për veprën penale – ngacmim.

Kështu konfirmoi për KALLXO.com, zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, i cili tha se Arsenijeviq e ka ngacmuar shefin e kabinetit të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Visar Sylën, duke i fishkëllyer.

“Policia konfirmon se në bazë të kërkesës nga prokurori, është intervistu Aleksandar Arsenijeviq dhe i njëjti pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje 48 orë për veprën ngacmim”- tha Elshani për KALLXO.com.

Ndryshe, KALLXO.com raportoi më 02.10.2024 se Arsenijeviq dhe një qytetar tjetër janë shoqëruar në Polici në Mitrovicë të Veriut, pasi që fishkëllyen në drejtim të kryetarit të Komunës, Erden Atiq.

Arsenijeviq dhe qytetari tjetër filluan të fishkëllejnë pasi që Erden Atiq po ecte drejt sheshit “Car Lazar” në Mitrovicë të Veriut.

Kryetari Atiq kishte dalë për të vizituar aktivitetin e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë për ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, ku ishte vendosur një mamograf mobil.

Arsenijeviq ishte arrestuar edhe më 10.09.2024 për të njëjtën arsye, pasi që kishte fishkëlluar gjatë një vizite në veri të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.