Karaçevë - 18.09.2020 FOTO KALLLXO.com

Ndalohet për 48 orë ish pronari i njërës nga kazinot në Karaçevë

I arrestuar gjatë ditës së sotme, A.Z., është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorisë Themelore në Gjilan nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale organizim të skemave piramidale.

Gjatë ditës se sotme i dyshuari A.Z., i cili deri sot ishte në kërkim pasi kishte fletëparaqitje për në polici, është arrestuar në shtëpinë e tij në fshatin Muçivërcë të Komunës së Kamenicës.

Nga i njëjti ishte kërkuar disa herë të paraqitej në polici, por ai nuk kishte vepruar sipas kërkesave.

Gjatë bastisjes se sotme që ka ndodhur në shtëpinë e të dyshuarit, janë gjetur dy shtëpiza kompjuterike dhe një printer për tiketa të bastoreve.

A.Z., është njeri nga pronarët e njërës prej kazinove që ishte rrënuar në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Aksioni i sotëm i policisë nën bashkëpunimin e Prokurorisë Themelore të Gjilanit ka qenë vazhdim i aksionit të Karaçevës.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për aksionin e policisë për mbylljen e kazinove në fshatin Karaçevë.

Aksioni në Karaçevë është realizuar në dy faza, atë të parën ku janë arrestuar më shumë se 30 persona për kontrabandë dhe lojëra fati, ndërsa në fazën e dytë janë arrestuar pronarë të fabrikave të mishit dhe mishtoreve në disa lokacione në Kosovë për shkak dyshohet se kishin blerë dhe kishin vënë në prodhim mish i cili ishte nga kafshët e kontrabanduara nga Serbia përmes rrugëve ilegale të fshatit Karaçevë.

Në fakt në aksionin në Karaçevë, janë arrestuar mbi 60 persona. Disa nga të arrestuarit janë vetëdorëzuar ditët pasuese pas operacionit.

Në këtë aksion të gjerë u arrestuan edhe 12 zyrtar policor.

Arrestohet edhe një person që organizonte lojëra fati në Karaçevë