Ndalohet për 48 orë i dyshuari për dhunë ndaj vajzës së tij në Prizren

Është ndaluar për 48 orë i dyshuari për rrahjen e vajzës në Prizren. Policia po ashtu ka bërë të ditur që vajza dhe babai i saj janë intervistuar.

Sipas policisë, babai e ka pranuar që në videon e shpërndarë është ai dhe vajza e tij.

“Nga e dëmtuara e mitur është marr deklaratë me shkrim në prezencën e punëtores së Qendrës për Punë Sociale dhe është dërguar për ekzaminim mjekësor. Është marrë deklarata nga i dyshuari, i cili ka pohuar se në video-incizimin e shpërndarë në rrjetet sociale është ai dhe vajza e tij” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Një video e publikuar nga KALLXO.com, ku shihej një burrë derisa ushtronte dhunë fizike ndaj një vajze në qytetin e Prizrenit, bëri që Policia të fillojë hetimet dhe me vendim të prokurorit, i njëjti u arrestua.

Rasti ka ndodhur në Prizren, në lagjen “Bajram Curri”, rruga “Rezistenca e Vrrinit”.

Sipas pamjeve, shihet se rasti ndodh në prezencë të disa personave që gjenden në rrugë si dhe të fëmijëve që gjenden pranë shtëpisë.

Arrestohet burri që u filmua duke ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij