Omer Muhameti - Foto: KALLXO.com
Ndalohet për 48 orë babai i të dënuarit, i cili në Gjykatën e Prizrenit iu drejtua viktimave me fjalët: "Shihemi apet"
“Na shihemi apet”– është një fjali që pretendohet se e tha babai i të dënuarit nga shkalla e parë në Prizren, Omer Muhametit, i akuzuar për plagosjen që ndodhi në prill të këtij viti (26.04.2024) në Dragash.
Kjo u konsiderua si kërcënim nga Kadri Qusaj e vajza e tij, të cilët ishin prezentë në sallën ku u mbajt seanca gjatë të cilës u shpall aktgjykimi dënues për Omer Muhametin.
Babai i të dënuarit u ndalua për 48 orë për veprën penale – kanosje.
Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.
“Po, është ndaluar për 48 orë, me urdhër të prokurorit kujdestar, për veprën penale të kanosjes”- ka thënë Gashi.
Ndërsa Omer Muhameti u dënua me burgim prej 3 vjet e gjashtë muaj nga gjyqtarja Teutë Krusha për veprat penale – tentim vrasje edhe – armëmbajtje pa leje.
KALLXO.com ka të incizuar me zë momentin i cili pretendohet se u tha brenda sallës në të cilën u mbajt seanca për shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj Omer Muhametit të martën më 30.07.2024.
Aty dëgjohet H.Q. duke iu kthyer babait të të dënuarit Omer Muhametit me fjalët: “Hej, hej!”
E më pas në vazhdimin e audio-incizimit dëgjohet edhe prokurori Mehdi Sefaj derisa e udhëzon viktimën ta raportojë rastin në Polici.
Në gjykatore sot ishte prezent edhe prokurori Mejdi Sefa, prindërit e Omer Muhametit dhe pala e dëmtuar, Kadri Qusaj, me vajzën e tij dhe avokatin.
Në një bisedë përmes telefonit, vajza e Kadri Qusajt ka konfirmuar se kanë raportuar rastin në Polici dhe tashmë organet e rendit janë duke u marrë me të. Ajo njoftoi se prokurori i udhëzoi ta raportojnë rastin ndërsa pala e dyshuar në këtë rast u thirr për t’u paraqitur në stacion policor.
“Janë shoqëruar, palët dhe janë duke u intervistuar në stacion, edhe viktimat edhe i dyshuari janë duke u intervistuar dhe policia së bashku me prokurorinë e shtetit, kanë filluar hetimet dhe rasti po cilësohet si rast kanosje. Ende nuk ka vendim për ndonjë ndalim”- tha për Kallxo.com Vesel Gashi, zëdhënës i Policisë në Prizren.
Kujtojmë se KALLXO.com kishte raportuar se si plagosjes në Dragash në prill të këtij viti i kishte paraprirë një kërcënim me plumb në kokë nga ana e Omer Muhametit drejtuar ish-bashkëshortes së tij (vajzës së Kadri Qusajt).
Muhameti është ish-dhëndër i Qusajt ndërsa në seancën e prillit ata ishin takuar për vendosjen e besimit të fëmijës që Muhameti e ka me ish-bashkëshorten.
Më 24.04.2024 palët ishin ftuar në gjykatë për një çështje të besimit të fëmijëve. Në korridorin e gjykatës Omer Muhameti është filmuar tek paraqet kërcënime serioze ndaj ish- gruas së tij H.Q.
“Ki me hi nën tokë, kam me ta q* familjen, ki me pa kush jam unë e kush je ti” – dëgjohet duke thënë Omer Muhameti.
Kërcënimet kishin vazhduar edhe në seancë gjyqësore.
“’Kjo ka me shku në vorr e unë në burg’. Gjyqtarja ia ka tërheqë vërejtjen i ka thanë këqyre çka je tu bë a mundesh me vazhdu seancën sepse ai nuk e ka pasë avokatoin e vet” – rrëfen H.Q.
Seanca sipas dëshmitares ishte ndërprerë ndërsa vajza dhe babai kërkuan ndihmën fillimisht të Gjykatës e më pas të Policisë.
“Unë i kam thanë gjyqtares: “Më fal a duhesh me thirrë ti Policinë apo kush më mbron mu se ky më kërcënoi në gjyq?” Më tha: “Unë nuk jam për me thirrë Policinë”. Tha: “Janë organet e tjera që kujdesen për ty”- rrëfen viktima.
Tragjedia e familjes Qusaj do vazhdonte edhe pasi Policia ftohet për t’i mbrojtur ata.
Dy policë pa makinë i vijnë në ndihmë familjes. Ata i sugjerojnë viktimës që në këmbë të shkojë në stacion për të dhënë një deklaratë, ndërsa babai mbetet i ekspozuar ndaj sulmuesit.
“Unë shkova me nxjerrë kerrin nga parkingu, veç kur e kam pa atë. Edhe unë e çela derën dhe dul e unë mendova që po del me bisedu veç e ka shti kryet brenda edhe e nxjerri armën e unë kur e pash armën u nisa, e kur u nisa ai ka gjujtë, krisma ma theu xhamin dhe më kapi në pjesën e gjoksit, më hyri plumbi e më doli nga kjo pjesa tjetër”- shpjegon Kadri Qusaj duke treguar se nga i kaloi plumbi.
I plagosur në krahun e djathtë shumë afër zemrës Qusaj rrugëtoj drejt stacionit të Policisë.
Aty për të nuk pati ambulancë ndërsa transporti për në spital u bë me makinën e tij.
“Baba erdh në stacion i plagosun, unë tu bërtit: “Thirreni ndihmën e parë!”, tu i bërtit Policisë se u doke sikur në zemër u plagos e ju thojsha : “Thirre ndihmën e parë!”. Ata s’kishin pasë kerr me çu as për ndihmë të parë babin- nuk kanë pasë kerr. E kanë marrë me kerr të babit e kanë çu me ia dhanë ndihmën e parë. Kanë shku e kanë çu në spital me marrë ndihmën e parë”- thotë H.Q.
Dorasi i ngjarjes ka të paktën dy dënime me kusht ndërsa kërcënimi i fundit kishte ndodhur para katër muajsh. Më 20.01.2024, Kadri Qusaj kishte pranuar një telefonatë.
“Hej, o zotni, a je tu e pru qet vajzën a po t’them, (fjala është për mbesën) a mos dil prej shpisë jam tu t’thanë, qashtu jam tu t’thanë unë. Mos ma ban punën ti m’u mshel në shtëpi. A po më nin po thom? Jo me m’thanë hajt mu se robtë kam me t’i q*, t’gjallë e të vdekur. Kudo që të zë në rrugë kam me ta futë plumb në lule të ballit”- ishin fjalët që Omer Muhameti i kishte drejtuar Kadri Qusajt.
Kjo bisedë ishte incizuar ndërsa menjëherë ishte njoftuar Policia për ngjarjen, por askush nga institucionet nuk e arrestoi Omer Muhametin, e as nuk i kreu kontrolle për armët.
“Nuk u arrestu atëherë. E kam incizimin i ka thanë a po ma jep vajzën mos ma mbaj mshel se unë kam me të vra kudo që të za në lule të ballit. E ka thirrë me zë, videon e kam incizimin. Jo nuk e kanë arrestu, Policia po thotë na nuk kemi diçka në dorë, krejt çka na thotë prokurori ne bëjmë. Unë kam qenë jam anku, kam thanë çka është puna, ai po më kërcënon, kam dy urdhër-mbrojtje e kanë dënu 300 euro, send nuk i kanë bërë”- rrëfen Q.H.
Pasi rasti ishte raportuar, kallëzimi penal ishte dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, rasti i ishte ndarë prokurorit Uesin Veliji. Ai kishte telefonuar Kadri Qusajn si palë e dëmtuar në atë kohë pasi ishte kërcënuar dhe i kishte ofruar mundësinë që rasti të dërgohet në ndërmjetësim.
”A ekziston ndonjë mundësi që ju me u pajtu që mos me u marrë me kësi raste, ai mos me të kanosë dhe me kërku falje? Me qesi gjana, me kanosje e sulme, duhet me shku në procedura ligjore me respektu njëri-tjetrin, ai ty mos me të kanosë, mos me të ngucë” dëgjohet prokurori duke folur në telefon.
Kadri Qusaj thotë se nuk kishte pranuar që të shkonte përmes ndërmjetësimit pasi që kishte vazhdimisht kërcënime nga ish-dhëndri i tij.
https://kallxo.com/lajm/hulumtimi-i-kallxo-com-burgim-per-personin-qe-tentoi-ta-vrase-ish-vjehrrin/