Ilustrim

Ndalohet një 49 vjeçar në Ferizaj, dërgohet në vuajtje të dënimit

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndaluar një person i cili po kërkohej në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Ferizaj për veprën penale ‘’Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme’’.

Një njoftimin e Policisë është thënë se personi i ndaluar është dërguar në vuajtje të dënimit me burgim prej 15 ditëve.

Sipas këtij njoftimi, në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, në orën 04:10, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, gjatë patrullimit në rrugën ‘’Brahim Ademi’’ kanë ndaluar një automjet me targa vendore dhe pas kontrollimit të automjetit dhe personave,  është ndaluar një person me inicialet E.T i moshës 49 vjeçar.

“Ai ishte i kërkuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Ferizaj për veprën penale ’Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme’ me dënim burgimi prej pesëmbëdhjetë ditëve”, ka thënë Policia.