Ilustrim: Porti i Durrësit

Ndalohet hyrja në Shqipëri e 27 tonelatave filetë pule nga Brazili

Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë ndaloi hyrjen e 46.2 tonelatave produkte të pasigurta nga Brazili të destinuara për territorin shqiptar si dhe ndëshkoi me 5.25 milionë lekë për kundërvajtje ligjore tri supermarkete në Tiranë.

Sipas njoftimit për shtyp të AKU-së, gjatë kontrollit të ushtruar në pikën e kalimit kufitar në Durrës dy ngarkesa me produkte importi, të dyja me origjinë nga Brazili dhe destinacion Shqipërinë , nga ku rezultoi 27 tonë “Filetë pule” me ngarkesë mikrobiologjike (Salmonella app) dhe 19.2 tonë kafe kokërr e papjekur, me mangësi në dokumentacionin shoqërues.

“Ndërsa gjatë kontrollit në 3 supermarkete u konstatua importim i produkteve ushqimore në kundërshtim me ligjin, ushtrim aktiviteti i palicencuar, kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare, mangësi në dokumentacion (gjurmueshmëri, plani HACCP), veprim në kundërshtim me përgjegjësitë e Operatorit të Biznesit, tregtim i produkteve me afat përdorimi të kaluar, si dhe etiketim i produkteve jokonform ligjit”, thekson njoftimi i AKU-së.

Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori 9 masa administrative “Gjobë” me vlerën totale 5.25 milionë lekë për 3 subjektet, “Tërheqja e menjëhershme e produktit nga tregu” me destinacion asgjësimin për produktin oriz të importuar në kundërshtim me ligjin, si dhe “Kthimi në vendin e origjinës” për 46.2 ton produkte importi të vlerësuar si të pasigurta për konsum human./RTK