Flamuri i Rusisë, Foto: Pixabay

Ndalohet ekspozimi i flamujve të Rusisë dhe Bjellorusisë në turneun e tenisit ‘Australian Open’

Flamujt e Rusisë dhe Bjellorusisë janë ndaluar nga turneu i tenisit ‘Australian Open’ pas një incidenti në fushë.

Spektatorët fillimisht u lejuan të sillnin flamujt në Melbourne Park me kusht që të mos shkaktonin “përçarje”.

Por organizatorët e ndryshuan këtë vendim të martën pasi tifozët shfaqën një flamur rus gjatë një ndeshjeje midis Kateryna Baindl të Ukrainës dhe ruses Kamilla Rakhimova.

Ndalimi hyn në fuqi menjëherë.

Tifozët ukrainas thonë se e kanë thirrur policinë dhe sigurinë në ndeshjen e raundit të parë të hënën, duke pretenduar se mbështetësit rusë po “talleshin” me teniseren Baindl.

Ambasadori i Ukrainës në Australi dhe Zelandën e Re i kishte bërë thirrje më herët të merren masa.

Atletët rusë dhe bjellorusë nuk kanë qenë në gjendje të luajnë nën flamujt e vendeve të tyre në disa sporte, përfshirë tenisin, që nga fillimi i evazionit rus në Ukrainë, në shkurt të vitit të kaluar.

Ndërkohë që lojtarët nga të dy vendet po konkurrojnë nën një flamur të bardhë neutral gjatë turneut Australian Open, në turneun e ëimbledon në vitin 2022 ata nuk u lejuan të luanin fare.

Organizatorët u gjobitën më pas dhe turneut iu hoqën pikët e renditjes nga Shoqata e Profesionistëve të Tenisit dhe Shoqata e Tenisit të Grave. Asociacioni Botëror i Tenisit ka thënë se duheshin mbrojtur mundësitë e barabarta për lojtarët për të konkurruar si individë.

Qeveria e shtetit Victorian në Australi të martën ka deklaruar se Tenis Australia kishte marrë vendimin e duhur.

Ndalimi vjen pasi tenistja ukrainase Marta Kostyuk ka deklaruar se nuk do t’i shtrëngojë duart me kundërshtarët nga Rusia dhe Bjellorusia, për të cilët beson se nuk kanë bërë sa duhet për ta dënuar pushtimin rus në Ukrainë./BBC