Ndalohen vizitat familjare të të burgosurve për shkak të rritjes së numrit të rasteve me COVID-19

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka ndaluar vizitat familjare për të gjitha kategoritë e të burgosurve për shkak të rritjes së numrit të rasteve me COVID-19.

Gjithashtu ShKK ka ndaluar edhe vizitat në fundjavë të të burgosurve për shkak të gjendjes me pandeminë COVID-19.

“Ndalimin e vizitave në lokalet e veçanta; Aplikimin e sistemit virtual të komunikimit “Skype” për të burgosur për të mundësuar kontaktet me familjet, sipas rutinës së përcaktuar nga Institucioni; Lejimin e numrit të shtuar të thirrjeve telefonike gjatë kësaj periudhe; Pastrimi i rrobave për të paraburgosur do të organizohet në Institucione”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues.

Nga këto ndalesa përjashtohet Institucioni i Avokatit të Popullit dhe mbrojtësit (avokatët) në rastet kur gjykimi është në zhvillim.

Gjatë dy ditëve të fundit në Kosovë ka pasur pozitive të shumta.

Sipas Institutit të Shëndetësisë Publike në Kosovë vetëm dje janë konfirmuar mbi 2 mijë e 700 raste.