Ilustrim

Ndalohen pronarët e agjencisë "Prishtina Jet", dyshohet se mashtruan bashkatdhetarët me bileta fiktive

Prokuroria e Prishtinës njofton se pas zhvillimit të masave të fshehta dhe teknike të hetimit dhe vëzhgimit, në koordinim me Policinë dhe ATK-në, si dhe pas aprovimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, nën udhëheqjen e prokurorit, sot është realizuar një aksion në Prishtinë dhe Podujevë, me ç’rast janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje të dyshuarit M.K. dhe A.B., bashkëpronarë të agjencisë turistike “Prishtina Jet”, për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – mashtrimi.

Sipas njoftimit, gjatë bastisjes janë gjetur e sekuestruar prova të cilat do të shërbejnë në procedurën penale.

Personat e lartcekur dyshohen se përmes paraqitjes së fakteve të rreme, pra përmes agjencisë, u kanë shitur të dëmtuarve/bashkatdhetarëve bileta fiktive për udhëtim me aeroplan nga shtetet e perëndimit në Kosovë me një çmim shumë më të lirë sesa çmimi aktual.

Prokuroria thotë se këto fluturime nuk janë realizuar edhe përkundër pagesave që janë bërë nga të dëmtuarit, çka me këtë të dëmtuarve përpos dëmeve financiare u kanë shkaktuar edhe keqtrajtime psiqike, duke u maltretuar me familjarët e tyre nëpër aeroporte të ndryshme për realizimin e fluturimeve të premtuara rrejshëm nga të pandehurit.

Me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, derisa ndaj tyre do të ndërmerren veprimet e mëtejme procedurale ligjore, si dhe veprime hetimore ndaj rastit në fjalë, deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështjeje penale.