Ilustrim

Ndalohen 5 persona, dyshohet se kontrabanduan dhe shitën mjaltë të dëmshme për shëndetin

Prokuroria e Ferizajt ka njoftuar se pesë persona janë ndaluar nën dyshimin për kontrabandim të mallrave, prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor dhe mashtrim të blerësve.

Të dyshuarit me inicialet K.Gj., E.Gj., Q.Sh., M.Sh. dhe E.I. janë ndaluar për 48 orë, pas një operacioni të gjerë në Prishtinë, Ferizaj dhe Prevallë të realizuar nga Prokuroria e Ferizajt në bashkëpunim me Policinë, Doganën e Kosovës, Inspektorët e Tregut dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit nga marsi i vitit 2023 e në vazhdimësi edhe tani, përmes pikës kufitare që lidh Kosovën me Maqedonin e Veriut, kanë kaluar vijën kufitare duke bartur mallëra dhe duke shmangur kontrollin doganor.

Në njoftim thuhet se të njëjtit me mjete të ndryshme të transportit duke shfrytëzuar rrugët ilegale nëpër rrugë malore dhe rrugë të tjera kanë kontrabanduar mallra të emëruara si “mjaltë”  me origjinë nga vende të ndryshme. Prokuroria ka thënë se “mjalta” është futur në paketime të ndryshme, në kavanoze dhe është futur në Kosovë duke i’u shmangur kontrollit doganorë dhe kontrolleve sanitare nga AUV në lidhje me cilësinë e këtyre produkteve.

“Me ç’ rast Doganës së Kosovës i shkaktojnë dëm të konsiderueshëm material, me këtë ekziston dyshimi i arsyeshëm që secili veç e veç ka kryer  veprën  penale “Kontrabandimi i  mallrave”” – thuhet në njoftim.

Në njoftimin e Prokurorisë më tej thuhet se gjatë periudhës kohore të lartëcekur, të pandehurit në Ferizaj dhe në vende të ndryshme nëpër Kosovë, mallin e kontrabanduar e kanë vënë në qarkullim për shitje pa u bërë kontrolli i nevojshëm nga enti i autorizuar – AUV në Kosovë.

“Duke e plasuar nëpër lokale të ndryshme nëpër Ferizaj dhe nëpër vende të tjera në Kosovë duke qenë të vetëdijshëm se mjalti i kontrabanduar nuk i plotëson kushtet e nevojshme për konsum dhe se përmban substanca të dëmshme për shëndetin dhe paraqet rrezik të madh për shëndetin e qytetarëve të cilët e blenë këtë produkt” – thuhet në njoftim

Me këtë ekziston dyshimi i arsyeshëm që secili veç e veç ka kryer veprën  penale “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”.

Prokuroria më tej ka sqaruar se të dyshuarit gjatë kësaj periudhe, në Ferizaj dhe në vende të ndryshme nëpër Kosovë, me dashje dhe me qëllim të mashtrimit të blerësve kanë vënë në qarkullim prodhime me shenjën në të cilën janë të shënuara të dhëna të cilat nuk i përgjigjen përmbajtjes, llojit, prejardhjes dhe kualitetit të produktit.

“Me këtë ekziston dyshimi i arsyeshëm që secili veç e veç ka kryer  veprën  penale “Mashtrimi i blerësve”” – përfundon njoftimi.