Seanca gjyqësore për vrasjen në Graincë (03.10.2022), Foto: KALLXO.com

Ndalja e rrymës ndërpren gjykimin për vrasjen e babait dhe të birit në Gradincë

Nën tensione të shumta vazhdoi gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen e babës dhe të birit në fshatin Gradincë.

Në bankën e të akuzuarve sot janë ulur Xhafer dhe Amir Bardhi, të dyshuar kryesorë për vrasjen e B.M, dhe djalit të tij 15-vjeçar.

Amir dhe Xhafer Bardhi po akuzohen nga ana e prokurorisë që për shkak të mosmarrëveshjes pronësore kanë privuar nga jeta B.M dhe djalin e tij, në pyllin e fshatit Gradincë.

Sot në cilësinë e dëshmitares, ka dhënë versionin e saj nëna dhe bashkëshortja e të ndjerëve.

Rrëfimin e saj S.M e filloi duke treguar se me tashmë të ndjerin B.M, kishte 19 vite martesë dhe nga kjo martesë kishin tre fëmijë.

S.M tha që bashkëshorti i saj njihej si një njeri i mirë, qëllimi i të cilit ishte t’i ndihmonte gjithkujt.

“Bekimi u kanë njeri i mirë, human, i ka ndihmu gjithkujt, nuk ka qenë e keqja e askujt dhe vetëm sa është mundu me bo mirë” – tha S.M.

Tutje në rrëfimin e saj S.M tregoi që gjendej në shtëpi së bashku me fëmijët dhe vjehrrën në momentin kur kishte ndodhur vrasja dhe se lajmin e kishin pranuar si incident me traktor.

“Pas me thanë 40 minuta, pasi kanë shkuar në mal na ka ardh lajmi që i ka nxan rami me dru” – shtoi tutje S.M.

Në pyetjen e përfaqësuesit të palës së dëmtuar Ndrec Dodaj se a ishte në dijeni për ndonjë problem me familjen Bardhi lidhur me këtë mal.

“Jo kurrë, ai u kanë mal i shtetit, nuk u kanë mal i tij” – u përgjigj S.M.

Vazhdimin e seancës e pamundësoi ndërprerja e energjisë elektrike. Seanca e njëjtë do të vazhdojë më 28 tetor.

Sipas dosjes se siguruar nga KALLXO.com, për shkak të një mosmarrëveshje pronësore më 5 prill 2021,  rreth orës 20:00, në fshatin Gradincë, të pandehurit Xhafer dhe Amir Bardhi kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Sipas aktakuzës të pandehurit kanë privuar nga jeta B.M dhe djalin e tij 15-vjeçar. Si dhe kishin vënë në rrezik jetën e të tjerëve V.M., V.M., dhe D.M..

Gjithnjë sipas prokurorisë, i akuzuari Amir Bardhi kishte qenë duke ecur në pyll me djalin e axhës, ku udhës kishin takuar të dëmtuarin V.M,. dhe të njëjtin i akuzuari e kishte pyetur se “Çka jeni duke bërë”, ndërsa i dëmtuari V.M., i kishte thënë se “jemi duke prerë dru në mal”.

Tutje thuhet se Amir Bardhi dhe dëshmitari janë larguar nga aty, Amir Bardhi ka pritur në rrugën ku të dërgon deri tek vendi ku ka ndodhur ngjarja, ndërsa dëshmitari është larguar drejt shtëpisë së tij.

Tutje në aktakuzë thuhet që Amir Bardhi e ka thirrur në telefon Xhaferi Bardhin dhe ky i fundit e ka marrë armën dhe me veturë ka shkuar deri tek vendi i ngjarjes. Me të arritur tek vendi, ka shtirë me armë drejt të dëmtuarve dhe ka goditur 15-vjeçarin, ku në atë moment në ndihmë i ka dalë i ati dhe të dëmtuarit e tjerë. Pastaj i akuzuari ka gjuajtur përsëri me armë dhe ka goditur në kokë B.M., ku i njëjti ka ndërruar  jetë dhjetë ditë më vonë.

Me këto veprime të akuzuarit kanë kryer veprat penale bashkëkryerje në vrasje të rëndë ndërsa Xhafer Bardhi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.