USAID

Ndalja e ndihmës amerikane dëmton përpjekjet globale kundër urisë

Përpjekja e Administratës Trump që të reduktohet dhe reformohet ndihma e huaj amerikane po dëmton sistemin e ndërlikuar global, që synon të parandalojë dhe t’i kundërpërgjigjet urisë – shkruan Agjencia e lajmeve Reuters.

Në luftën për menaxhimin e krizave të urisë që kishin përfshirë botën në zhvillim edhe para se presidenti amerikan Donald Trump të kthehej në Shtëpinë e Bardhë, sistemi ndërkombëtar i monitorimit dhe ndihmës kundër urisë ka pësuar goditje të shumta nga ndalja amerikane e befasishme e ndihmës.

Ngrirja e shpenzimeve, të cilën Trump e urdhëroi me marrjen e detyrës më 20 janar supozohet të zgjasë 90 ditë, ndërsa Administrata e tij po shqyrton të gjitha programet e ndihmës së huaj. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio ka thënë se përjashtimisht lejon që të mos ndalet ndihma urgjente ushqimore.

Por, pjesa më e madhe e asaj ndihme emergjente të paktën është ndalur përkohësisht, pasi organizatat humanitare kërkojnë qartësi se cilat programe ndihmash do të vazhdojnë. Problemi i ndërlikuar është lëvizja e Trumpit këtë javë që të ndalet puna e ofruesit kryesor të ndihmës së Qeverisë amerikane, Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Rreth 500 mijë tonë ushqim në vlerë prej 340 milionë dollarësh janë lënë pezull, në tranzit ose deponuar, ndërsa organizatat humanitare presin miratimin e Departamentit Amerikan të Shtetit që ta shpërndajë – ka theksuar Marcia Wong, ish-zyrtare e lartë e USAID-it e cila është informuar për situatën.

Ndihma e ofruar nga SHBA-ja me para të gatshme që të ndihmohen njerëzit të blejnë ushqime dhe gjëra të tjera të nevojshme në Sudan dhe Gaza gjithashtu është ndalur – kanë theksuar punonjësit e ndihmës për Reuters.

Organizatat humanitare kanë sfiduar pengesa gjatë pranimit të pagesave për operacionet e ushqimit emergjent. Pyetjet se cilat programe kanë leje të vazhdojnë kanë mbetur pa përgjigje, sepse njerëzit që zakonisht bëjnë pyetje të tilla – zyrtarë në USAID – janë lënë pushuar – kanë theksuar të paktën gjashtë burime.

Është pezulluar edhe Rrjeti i Sistemeve të Paralajmërimit të Hershëm të Urisë (FEWS NET), entiteti amerikan rregullisht alarmoi për krizat e sigurisë ushqimore me qëllim parandalimin e urisë. Kjo i lë organizatat e ndihmës pa burimin kryesor udhëzues se ku dhe si të vendosin ndihmat humanitare.

Dhe, Qeveria amerikane nxori ​​urdhra për ndalimin e punës për dy prodhuesit kryesorë të suplementeve ushqimore – duke pakësuar furnizimin me ushqime shpëtimtare për fëmijët e kequshqyer rëndë në mbarë botën.

“Ne jemi e vetmja gjë për të cilën pajtohen pothuajse të gjithë – që fëmijët e vegjël të cilët janë të uritur dhe kanë nevojë për ndihmë urgjente kanë nevojë për ndihmë.” – tha Mark Moore, shefi ekzekutiv i Mana Nutrition të Gjeorgjisë, një nga dy furnizuesit e urdhëruar të ndalojë prodhimin e suplementeve. “Nuk është hamendje, shtrëngim duarsh apo edhe përdorim kontestues i statistikave të thuhet se qindra-mijëra fëmijë të kequshqyer mund të vdisnin pa USAID-in”.

Menjëherë pas publikimit të këtij reagimi, Qeveria e SHBA-së njoftoi Mana-n dhe prodhuesin tjetër, Edesia Nutrition nga Rhode Island, se urdhrat e ndalimit të punës u anuluan.

Departamenti Amerikan i Shtetit nuk iu përgjigj kërkesave për koment për këtë shkrim.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com