Ndalja e mëditjeve, asamblistët e LDK-së në Podujevë bllokojnë punimet e Kuvendit Komunal

Punimet e Kuvendit Komunal në Podujevë janë stopuar nga asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi asamblisti nga kjo parti, Ekrem Rrahmani.

“Po, për momentin punimet e Kuvendit Komunal janë të bllokuara” – deklaroi Rrahmani.

Këshilltari komunal nga partia opozitare në Podujevë, ka dhënë edhe arsyet e bllokimit të punimeve të Kuvendit Komunal.

“Në seancën e kaluar kemi shpreh pakënaqësi që i kanë përzënë mediat nga Kuvendi, ne e kemi liru sallën dhe na u kanë hakmarrë me ndalesë të mëditjeve. Ne kemi kërkuar që me dalë kryesuesi me kërku falje që na i kanë ndalë mëditjet. Le t’i kthejnë mëditjet dhe vazhdon seanca…” –  tha ai.

“Ne po e kërkojmë vendimin, në bazë të çfarë e kanë ndal mëditjet. Po na thonë jo s’ka vendim, e si i keni ndalu mëditjet pra….” – tha Ekrem Rrahmani.

Aktualisht, asamblistët e LDK-së në Podujevë po negociojnë me të parin e Kuvendit Komunal për tu kthyer në seancë e për të vazhduar punimet.

Telashe në Kuvendin Komunal të Podujevës pati edhe javën e kaluar.

Ragip Fetahu dhe Artrit Mulliqi, dy asamblistët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë dyshohet se janë rrahur në mes vete më 31 tetor.

Lidhur me këtë rast, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj ka thënë se në koordinim me Policinë e Kosovës janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ndriçuar rastin.Ajo tha se me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”.