FOTO: KALLXO - Lavdim Krasniqi, drejtor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës

Ndaj ish-sekretarit të KPK-së, i akuzuar për disa vepra penale, hidhen poshtë dy pika të akuzës për shpërdorim detyre

Ndaj ish-sekretarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqit, janë hedhur poshtë dy pika të akuzës për shpërdorim të detyrës zyrtare nga Gjykata e Prishtinës.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi avokati Ramë Gashi i cili tha se “ndaj Krasniqit janë hedhur dy pika të akuzës që kanë të bëjnë me shpërdorim të detyrës zyrtare si dhe është shpallur e papranueshme si provë CD-ja e bashkëbisedimit me dëshmitarin bashkëpunues pasi që e njëjta është marrë në kundërshtim me ligjin”.

Ndërsa për asistenten e Krasniqit, Marigona Berishën, është hedhur poshtë pika e akuzës që ka të bëjë me blerjen e sendeve të fituara me kryerjen e veprave penale, ndërsa mbeti në fuqi akuza për falsifikim të dokumnetave, tha avokati Hamdi Podvorica.

Avokati Podvorica tha se ndaj Marigona Berishës është hedhur pika e aktakuzës që ka të bëjë me blerjen e sendeve të fituara me veprën penale ndërsa është refuzuar kërkesa për veprën penale – falsifikim të dokumentave.

Më 21 tetor ishte mbajtur seanca e parë në këtë proces penal, ku të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat e Prokurorisë.

Ish-drejtori i sekretariatit të KPK-së akuzohet se bashkë me shoferin e tij në disa lokacione kishin kërkuar dhe pranuar para dhe dhurata në vlerë prej 40 mijë euro nga Bashkim Mulolli, duke i premtuar se do të ushtronin ndikimin e tyre për t’ia ulur dënimin si dhe për t’ia shtyrë ekzekutimin e dënimit me burg prej 4 vite e 7 muaj. Dënimi në fjalë ishte zvogëluar nga Gjykata e Apelit në 3 vite e 7 muaj.

Të dy akuzohen edhe se me veturën zyrtare të Këshillit Prokurorial të Kosovës i kishin mundësuar një të dyshuari për tentim vrasje që të arratisej nga Kosova drejt Shqipërisë.

Sipas Prokurorisë këtë veprim e kishin marrë duke përdorur logon zyrtare dhe rotacionin të cilin e posedonte vetura e KPK-së, më ç’rast kishin depërtuar në territorin e Shqipërisë.

Përpos këtyre veprave Krasniqi akuzohet edhe për keqpërdorim në dhënien e tenderëve.

Sipas aktakuzës ai së bashku me zyrtaren tjetër Flora Doda kishin porositur dhe pranuar mobile në vlerë prej 9,480 euro ndërsa pas disa ditëve kishin lidhur kontrata dhe zhvilluar procedura fiktive në kundërshtim me ligjin.

Vepra e fundit e cila rëndon mbi ish-drejtuesin e sekretariatit të KPK-së është mosdeklarimi i pasurisë.

Sipas Prokurorisë ai nuk e kishte përfshirë në deklarimin e pasurisë shumën e 40 mijë eurove që i kishte marrë pas shitjes së banesës si dhe shumën prej 10 mijë euro të cilat ia kishte dhënë miku i tij në emër të blerjes së dy banesave në vlerë prej 121 mijë euro.

Ndërkaq shoferi i tij, Ardian Krasniqi, akuzohet edhe për falsifikim të dokumenteve zyrtare pasi sipas Prokurorisë kishte falsifikuar rezultatet e testit COVID-19 për Bashkim Mulollin me qëllim që të njëjtit t’i mundësohej shtyrja e ekzekutimit të dënimit.

Akuza të rënda rëndojnë edhe për asistenten e Krasniqit, Marigona Berisha.

Sipas Prokurorisë ajo kishte përpiluar dokumente të falsifikuara pasi kishte falsifikuar deklaratën në emër të Bashkim Mulollit me të cilën pretendonte se i kishte paguar të njëjtit shumën prej 8 mijë e 400 eurove në zyrën e noterit Sefedin Blakaj. Deri te zbulimi i kësaj vepre sipas prokurorit Zejnullah Gashi kishte ardhur pasi ekspertiza e Agjencisë Kosovare për Forenzike kishte konstatuar se nënshkrimi i Bashkim Mulollit në atë dokument nuk ishte i tij.

Përpos saj, Berisha akuzohet edhe se kishte pranuar pasurinë përkatësisht veturën e tipit “VW T-roc”, në vlerë prej 25 mijë euro edhe pse ka qenë në dijeni se e njëjta ishte fituar me vepër penale të shkaktuar nga Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi.

Aktakuza ndaj tyre ishte ngritur në gusht të këtij viti. Krasniqi dhe asistentja e tij ishin arrestuar në fillimit të muajit mars lidhur me dyshimet për përfshirje në afera korruptive.