Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Ndahet me short në Apel, lënda e ish-drejtorit të Policisë së Kosovës

Me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, konkursi i Policisë së Kosovës për drejtor të përgjithshëm është bllokuar.

Kjo pas kërkesës së ish-drejtorit të PK-së, Rashit Qalaj, në lidhje me caktimin e masës së sigurisë për të bllokuar konkursin deri në përfundim të kontestit gjyqësor me Zyrën e Kryeministrit në lidhje me shkarkimin e tij muajin e kaluar.

Pas këtij vendimi të Gjykatës Themelore, e cila ka bërë që të pezullohet konkursi për drejtor të ri të Policisë së Kosovës, këta të fundit janë ankuar në Gjykatë të Apelit.

Fjalët se për këtë rast, kolegji i përbërë nga gjyqtarë të apelit ka marrë një vendim paraprak para se ta shqyrtoj lëndën, ka bërë që Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala të kërkoj që lënda të ndahet me short.

“Lënda është ndarë me short. 12 gjyqtarë kanë qit short dhe kujt i ka rënë ai e ka marrë lëndën. Kam dëgju se kanë dalë fjalë se kolegji kështu, kolegji ashtu dhe më së miri ka qenë që lënda të vendoset se kujt i bie shorti prej 12 gjyqtarëve”, tha Shala për KALLXO.com.

Ai tha se nuk ka pasur ndonjë refuzim nga ana e gjyqtarëve për të mos trajtuar ankesën e PK-së në lidhje me kërkesën e Qalajt.

“Për hirë të fjalëve rasti ka shku me short. Kam dëgju se kanë thënë që jo kolegji është i përgatitur dhe jo kanë me pasë këtë vendim, jo atë vendim. Unë kam vepru ashtu, kjo është e vërteta. 12 gjyqtarë kanë qenë në short dhe njëri e ka marrë lëndën. Për me i hek fjalët unë kam vendos ashtu. Për me i hjek të gjitha dyshimet unë kam vendos ashtu për me vendos në bazë të shortit”, tha tutje Shala.

KALLXO.com ka raportuar në fillim të këtij muaji se pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, konkursi i Policisë së Kosovës është pezulluar.

Pasi ishte shkarkuar nga detyra, ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka paditur Zyrën e Kryeministrit, ndërsa ka bërë kërkesë për pezullim të konkursit deri në përfundim të kontestit gjyqësor.

KALLXO.com kishte raportuar edhe se Gjykata e Prishtinës ka vendosur që të aprovojë njërën nga dy kërkesat të cilat kishte pranuar nga ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe nga ish-kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradie Kelmendi.

Qalaj dhe Kelmendi kishin kërkuar nga Gjykata e Prishtinës që të ndalohen dy proceset e rekrutimit për drejtor të ri të Policisë së Kosovës dhe kryeshefit të IPK-së.

Ish-kryeshefja e IPK-së, Miradie Kelmendi, ka ushtruar padi ndaj Minsitrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa Qalaj ndaj Zyrës së Kryeministrit. Kjo për shkak që Kelmendi është shkarkuar nga një vendim i ish- ushtruesit të detyrës së ministrit të MPB-së, Xhelal Sveçla ndërsa Qalaj me vendim të kryeministrit Avdullah Hoti.

Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës janë duke funksionuar me ushtrues detyre të drejtorit, respektivisht kryeshefit. Në të dy këto institucione të sigurisë janë hapur konkurse për pozitën e drejtorit të përgjithshëm dhe kryeshefit të IPK-së.

Konkursi i Policisë së Kosovës për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës është hapur më 19 nëntor ndërsa ai i IPK-së për kryeshef më 27 tetor.

Qalaj dhe Kelmendi me anë të padive kanë kërkuar edhe caktimin e masës së sigurisë për të pezulluar konkurset, deri në përfundim të kontestit gjyqësor në lidhje me shkarkimet e tyre të cilat ndodhën muajt e kaluar.

Duke u bazuar në masën e sigurisë të cilën e ka ndërmarrë Gjykata e Prishtinës në rastin e padisë së Qalajt, konkursi i Policisë së Kosovës vazhdon të mbetet i pezulluar deri në vendimin e gjykatës së shkallës së dytë ndërsa pas refuzimit të kërkesës për caktimin e masës së sigurisë ndaj ish –kryeshefes së IPK-së, Miradie Kelmendit, konkursi i IPK-së do të vazhdojë.