Ndahen mjete financiare për shtesa në pagë për policët dhe zyrtarët shëndetësorë

Hekuran Murati, ministër i Financave dhe Transfereve, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka treguar rreth shumës së mjeteve që janë ndarë për zyrtarët policorë dhe punëtorët shëndetësorë të angazhuar në luftën kundër pandemisë COVID-19.

“Një pako 20 milionë për të ndihmu apo zbut efeketet e pandemisë që ka pasur në ekonominë e vendit dhe për të ndihmuar ata që po përballen në frontin e parë. Me saktësisht bëhet fjalë 6 milionë euro për gastronominë dhe bizneset tjera si qendrat tregtare, fitneset. Kjo masë do të subvencionojë pagat dhe qiratë deri në 50%”, tha Murati.

“ Shtesa 150 euro për sektorin shëndetësorë, për muajt prill dhe maj, 100 euro për stafin teknik dhe 100 euro për sektorin e sigurisë (policinë), për ata që kanë qenë të angazhuar për zbatimin e masave”.

Ministri Murati gjithashtu bëri të ditur se nga kjo shumë prej 20 milionë eurove do të përfshihen edhe përfituesit e skemave sociale e pensionale.

“Për skemat sociale do të ndahen 30% për shumën që ata e marrin normalisht. Tek skemat pensionale, do të bëjmë subvencionim, për skemat që janë nën 100 euro do të subvencionohen deri në nivelin kur arrijnë në 100 euro”.

Murati po ashtu tha se në situatën që gjendet Kosova me pandeminë, është vështirë të flitet për rimëkëmbjen ekonomike apo rihapjen totale.

“Pa u trajtuar problemi shëndetësor, është vështirë që të flasim dhe këtë problem e kanë të gjitha vendet e botës. Një rihapje para se të trajtohet problemi shëndetësor, është e pamundur. Nuk mund të flasim për rimëkëmbje ekonomike, por duhet të flasim për situatë emergjente që po mbretëron”, deklaroi Murati para gazetarëve.