Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ndahen mbi 133 mijë euro për funeralet e viktimave të COVID-19

Shërbimi i varrimit të pacientëve që vdesin nga sëmundja COVID-19 brenda vitit pritet  të kryhet nga kompania “Funerali” që ka fitur tender nga  Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

ShKSUK për këtë shërbim ka njoftuar se ka dhënë kontratë në vlerë prej 133 mijë e 761 euro ndërsa për këtë çështje ishin planifikuar  316 mijë e 800 euro. Nënshkrimi i kësaj kontrate ende nuk është bërë.

Sipas dosjes së tenderit, kompania është e obliguar të ketë mantela nga materiali jo i depërtueshëm nga lëngjet, sekretet dhe materiali infektoz, maska FFP3, mbrojtëse për fytyrë (faceshield) dhe dorëza.

Po ashtu, kjo kompani do të përgatisë kufomën duke e vendosur në qese speciale të mbyllur hermetikisht, ta vendosë kufomën në arkivol druri të mbyllur hermetikisht, ta bartë kufomën nga klinika apo reparti deri tek morgu e më pastaj në varreza, të regjistrojë kilometrat deri në varreza dhe ta dezinfektojë arkivolin, makinën dhe hapësirën.

Për kufomat e vdekura nga COVID-19 kompania duhet të ketë arkivole druri të cilët mbyllen hermetikisht me bulona.

KALLXO.com ka raportuar disa raste kur personat e vdekur nga COVID-19 nuk janë tërhequr me orë të tëra nga klinikat/repartet.

Deri më tani nga COVID-19 në Kosovë kanë vdekur 1620 persona.

Një pacient i dyshuar për COVID-19 vdes në Spitalin e Prizrenit, ekipa për tërheqjen e kufomave nuk lajmërohet gjithë ditën

Pas raportimit të KALLXO.com, nga Spitali i Prizrenit tërhiqet kufoma e një personi që dyshohet se ishte me COVID-19

Skandal në Klinikën e Pulmologjisë: Kufoma qëndron rreth 7 orë në dhomën me pacientë