Pamje nga ndarja e çmimeve për kinematografi. Foto: ZKM.

Ndahen çmimet për kinematografi për vitin 2021

Abdurrahman Shala, post mortum dhe regjisorja Blerta Basholli janë fituesit e çmimeve kombëtare vjetore për kinematografi për vitin 2021. 

Aktorit Abdurrahman Shalës iu dha çmimi kombëtar për vepër jetësore ”Bekim Fehmiu”, post mortum, ndërsa regjisorja e filmit “Zgjoi” Blerta Basholli e mori çmimin vjetor për kinematografi. 

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve që u mbajt sonte në Kino Armata, mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku. 

Kryeministri Kurti, duke ia dorëzuar çmimin regjisores Basholli, tha se Qeveria që ai drejton do të vazhdojë të mbështesë kineastët kosovarë. 

“Ne do t’ ju mbështesim jo vetëm pasi të korrni suksese, për këtë arsye janë nënshkruar dy marrëveshje shumë të rëndësishme ndërshtetërore dhe po punojmë që filmi të shpallet interes kombëtar”, tha ndër të tjera Kurti. 

Ndërsa, regjisorja Blerta Basholli tha se pranimi i këtij çmimi ka një rëndësi të veçantë për të. 

“Duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku me institucionet për të shtyrë tutje sukseset e filmit tona”, tha ajo. 

Kurse, Genc Shala, nipi i aktorit Abdurrahman Shala, tha se axha i tij dha gjithçka për zhvillimin e kinematografisë kosovare. 

Çmimi kombëtar për vepër jetësore ‘”Bekim Fehmiu” për 2021, post mortum, Abdurrahman Shalës (1922- 1994) iu dha për kontributin e dhënë në zhvillimin e kinematografisë në Kosovë. Shala ishte ndër pionierët e kinematografisë kosovare. Ai luajti në shumë filma vendas dhe të huaj, ndërsa kontribuoi edhe në themelimin e shtëpisë së parë filmike “Kosovafilmi”. 

Kurse, regjisorja Basholli, çmimin vjetor për kinematografi për 2021, e mori për sukseset e filmit “Zgjoi”. Ky film në fillim të vitit të kaluar mori tri çmimet kryesore të “Sundance Film Festival”. 

Tradicionalisht, çmimet për kinematografi ndahen më 1 qershor, në ditëlindjen e aktorit Bekim Fehmiu. 

Çmimet për kinematografi ndahen nga MKRS-ja. 

Pamje nga ndarja e çmimeve për kinematografi. Foto: ZKM.
Pamje nga ndarja e çmimeve për kinematografi. Foto: ZKM.