Qeveria

Foto: Denis Sllovinja

Ndahen 2 milionë euro për 156 biznese nga programi për rimëkëmbje ekonomike

Në kuadër të programit për rimëkëmbje ekonomike, përkatësisht masa 8, u ndanë 2 milionë euro, ndërsa përfitues janë 156 biznese, me rreth 500 punëtorë në kuadër të këtyre bizneseve.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave për financimin e projektit në kuadër të skemës së granteve.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se gjatë kësaj ceremonie, Hoti tha se së fundmi bizneseve u janë shpërndarë 60 milionë euro, ndërsa në bujqësi janë dyfishuar subvencionet, dhe mbështetje për gratë në biznes, minoritetet dhe kategoritë e tjera në nevojë.

Më tej ka shtuar Hoti se Qeveria e Kosovës deri më tani bizneseve u ka lëshuar mjete në vlerë prej 280 milionë eurove, ndërkaq bëri të ditur se për vitin e ardhshëm është paraparë një fond për rimëkëmbje ekonomike në shumë prej 182 milionë, por i cili do të rritet gjatë dy leximeve të buxhetit në Kuvend.

Kuvendi i Kosovës ende nuk ka arritur që ta votojë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, për shkak të mungesës së deputetëve. Ky projektligj u arrit të votohet vetëm në lexim të parë.

Hoti ka premtuar se do të miratohet javën e ardhshme.