Rënia e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës - Foto: 18.01.2024
Ndahen 110 mijë euro dëmshpërblim për vajzën që u lëndua nga kulmi i objektit në Prishtinë
Kuvendi Komunal i Prishtinës ka ndarë 110 mijë euro dëmshpërblim për Elza Ujkanin e cila u lëndua më 18.01.2024 nga kulmi i objektit të ri të Komunës së Prishtinës.
Kjo u votua në seancën e sotme, 24.05.2024 të Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Kryetari i Prishtinës Përparim Rama tha se kjo ndihmë ka të bëjë me përmirësim të shëndetit të qytetares pas dëmeve që mori nga rënia e kulmit të objektit të komunës.
“Ka të bëjë me përmirësimin e shëndetit të zonjushës Elza Ujkani e cila është me fat dhe ne po ashtu jemi me fat, që është me neve, qëllimi është t’i ndihmojë në vazhdim të shërimit”- u shpreh Rama më 24.05.2024.
Shefi i asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla po ashtu tha se do përkrahin këtë mbështetje nga ana e komunës, pasi Ujkani pritet të ketë edhe një operim jashtë vendit.
“Ky propozim për këtë paradhënie nuk e ndalon asnjë proces tjetër eventual, qoftë në raport të dëmtuarës në raport me kërkim të shpërblimit të dëmit, qoftë të organeve të hetuesisë për gjetjen e fajtorëve të rastit, në një situatë të tillë, është esenciale që Elza është në kërkim të shërimit, do ketë një operim jashtë vendit. Ka rrezik që kjo të krijojë precendent, por ndoshta duhet të krijojmë një mendësi që duhet të japim përgjegjësi për gjërat që bëhet dhe ka pronarë të asaj pune”- u shpreh Sveçla.
Derisa, Gëzim Mehmeti nga AKR-ja tha se nuk e përkrahë këtë paradhënie pasi po krijohet precedent me dëme të paparashikueshme.
“Pavarësisht tragjedisë që ka ndodh me vazjën që kemi shpreh secili solidaritet. Sor po bëjmë precedan me dëme të paparashikueshme për cdo legjislativ në Kosovë. Sot po pranojmë dicka që ende nuk dihet. Shprehi solidaritet, por nuk e votoj këtë mënyrë propozimi”- tha Mehmeti.
Më 18.01.2024 23-vjeçarja, Elza Ujkani, pësoi lëndime për shkak se i ranë pjesë të kulmit të ndërtesës së Komunës së Prishtinës në lagjen ‘Arbëria’.
Ky objekt ishte ndërtuar në vitin 2009, derisa probleme me rënie të pjesëve nga çatia kishte pasur edhe në vitin 2017.
Më 25.03.2024 Ujkani njoftoi se është liruar nga Spitali.