
Ilustrim
Ndahen 100 mijë euro për kompaninë 'Pastrimi'
Kuvendi Komunal i Prishtinës ka ndarë 100 mijë për kompaninë rajonale të mbeturinave “Pastrimi”.
Nënkryetari Alban Zogaj në seancën e sotme tha se borxhi i kompanisë ndaj deponisë së mbeturinave është mbi 600 mijë euro.
“Pastrimi i qytetit është një prej prioriteteve të kryetarit Rama dhe kabinetit. Gjendja nuk është e kënaqëshme, kemi vrejtje në efiqencë dhe gjendjen aktuale për mbledhjen e mbeturinave. Jemi duke e marrë shumë seriozisht. Janë mbi 600 mijë euro që “Pastrimi” i ka borxh deponisë së mbeturinave, kjo rrezikon mbylljen e derës së “Pastrimit” nga kjo deponi. Borxhet janë të trashëguara ndër vite”, u shpreh Zogaj.
Nga Lëvizja Vetëvendosje deklaruan se duhet shkarkuar gjithë menaxhmenti për gjendjen dhe borxhin e krijuar.
“Aksionar jemi ne, është përgjegjësi e jona me mbajtë gjallë atë kompani, nuk mbahet me subvencionime. Jemi kundër financimit të borxheve, pas shkarkimit të kryeshefit e menaxhmentit që e kanë pru në këtë gjendje atëherë votojmë”, tha asamblisti Berat Lahu.
Kuvendi Komunal i Prishtinës është duke e mbajtur seancën që ka filluar në orën 10:00.