Ndahen 1.77 milionë euro për funksionalizimin e Poliklinikës së Podujevës

1.77 milionë euro i ka ndarë Qeveria e Kosovës për blerjen e pajisjeve dhe funksionalizimin e Poliklinikës në Podujevë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se këto mjete merren nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, përkatësisht nga kategoria “Subvencione dhe transfere”.

Vendimi për themelimin e një poliklinike, erdhi pasi një grup punues vlerësoi se Podujeva ka nevojë për poliklinikë e jo për spital të përgjithshëm, siç kishte premtuar Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka shfuqizuar vendimin e vitit 2016 për themelimin e spitalit të Podujevës.

Kështu ishte bërë e ditur më 20.03.2024, në mbledhjen e bordit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, nga kryesuesi i atëhershëm i bordit, Naim Bardiqi, i cili njëherësh është edhe Sekretar në Ministrinë e Shëndetësisë.

Vendimi për themelimin e spitalit të përgjithshëm në Podujevë e kishte marrë ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, më 27.10.2016.

Arsyetimi i vendimit thoshte “në funksion të krijimit të kushteve të përshtatshme për mbrojtjen dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët, trajtimin adekuat për pacientët në nevojë dhe duke marrë parasysh numrin e banorëve në territorin e Komunës së Podujevës”.

Përkundër premtimeve për ndërtimin e këtij spitali, Qeveria Kurti nuk kishte ndarë asnjë cent për të, për vitin 2022. Ministri i Financave, Hekuran Murati kishte thënë se ky projekt do të bëhet me kredi të buta.

“Ndërtimi i spitalit në Podujevë, me mua kryeministër dhe me Shpejtim Bulliqin kryetar, Podujeva e fiton spitalin e saj dhe përfundimin e magjistrales Prishtinë-Podujevë brenda vitit të ardhshëm” – kishte deklaruar kryeministri Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Podujevë.

Kryetari i kësaj Komune nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, kishte kritikuar Qeverinë paraprake të udhëhqur nga Avdullah Hoti që nuk kishte ndarë mjete për spitalin e Podujevës në buxhetin e vitit 2021.

Tenderi 9-milionësh për ndërtimin e spitalit të Podujevës ishte shpallur në vitin 2020.

Në buxhetin e vitit 2021 nuk ishin paraparë mjete financiare për ndërtimin e tij.

Duke iu referuar kësaj, zyrtari kryesor financiar i SHSKUK-së në shtator të vitit 2021 kishte thënë se kjo procedurë nuk mund të vazhdojë për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore.