Nazmi Hasi lirohet nga detyra e nënkryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci e zëvendëson me Arben Shalën
Nazmi Hasi është liruar nga detyra e nënkryetarit të Komunës së Drenasit.
Në vend të tij është emëruar Arben Shala.
Këtë e ka bërë te ditur kryetari Ramiz Lladrovci teksa tregoi se Hasi u lirua nga detyra për arsye profesionale.
“Falënderim për Prof. Hasin, mirë se vjen Arben Shala, nënkryetar i komunës. Me rastin e lirimit nga detyra e nënkryetarit për arsye profesionale, e falënderoj nga zemra Prof. Dr. Nazmi Hasin, për kontributin e madh të deritashëm në detyrat dhe përgjegjësitë̈ në komunën e Drenasit. Shpreh nderimin e sinqertë për Prof. Dr. Nazmi Hasin, për përkushtimin e madh për ngritjen e performancës së komunës tonë, bashkëpunimin me stafin dhe arritjet e mëdha në përgjegjësitë̈ e tij”, ka shkruar Lladrovci.
“Uroj Profesorin në detyrat dhe përgjegjësitë e mëtejme, si ligjërues në Fakultetin e Gjeoshkencave në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, duke ruajtur nderimin dhe konsideratën më të lartë, si personalitet i çmuar me kontribut të madh për komunën tonë. Suksese të mëtejme Profesor Hasi. Ju falënderoj nga zemra për bashkëpunim”, shkroi tutje kreu i kësaj Komunë, në rrjetin social “Facebook”.
Ai tutje i uroi mirëseardhje nënkryetarit të ri dhe ftoi stafin e Komunës t’i ofrojë bashkëpunim të plotë Arben Shalës “me motivin e njohur dhe të qëndrueshëm tonin për qeverisje shembullore në nivel vendi”.
KALLXO.com kishte raportuar më 29 tetor 2020 se vajza e nënkryetarit të Komunës së Drenasit, Nazmi Hasi, është punësuar si mësimdhënëse në një shkollë të kësaj komune.