Foto BBC, Alexey Navalny me gruan Yulia dhe djalin e tij Zakhar jashtë spitalit në Berlin.

Navalny flet për ndikimin e helmit Novichok në trup

Kritiku i politikës së Kremlinit Alexei Navalny i cili dyshohet se u helmua nga Rusia me Novichok (agjent nervor) ka folur lidhur me efektet anësore që kaloi dhe është duke përjetuar ende si shkak i helmimit.

Lideri i opozitës ruse Alexei Navalny ka thënë se shërimi nga agjenti nervor është një udhëtim i gjatë, me netë pa gjumë dhe lëvizje të ngathta.

Por ai për BBC ka thënë “Jam duke u bërë shumë, shumë më mirë” dhe insistoi se eventualisht do të kthehet në Rusi.

BBC u takua me të në një hotel me mbikqyrje të lartë në Berlin, pasi ai kaloi 32 ditë në kujdes intensiv në spitalin Charite në Berlin.

“ Ndjeva ethe, kurse dhimbje jo, mu duk sikur ndjeva fundin”.

“Nuk ndjen aspak dhimbje, nuk është si një sulm paniku apo lloj shqetësimi. Në fillim e vëren se diçka nuk po shkon dhe pastaj mendimi i vetëm që ke është: Kaq ishte, do vdes.”

Navalny tha se helmi filloi efektin sa ishte në aeroplan, ai tha se nuk ishte në gjendje të fokusohej në asgjë, edhe pse njerëzit dhe objektet rreth tij nuk ishin të turbullt në mënyrën si do ndikonte alkooli në tru.

Shumë më vonë në spital “kisha shumë faza të ri zgjimit, dhe kjo ka qenë pjesa më e keqe.”

“Për një kohë të gjatë kam pasur halucinacione,” tha ai . Ai kishte besuar se gruaja e tij Yulia, mjekët dhe shoku i tij aktivisti Leonid Volkow ishin duke i thënë se ai kishte pësuar aksident, se kishte humbur këmbët, “kirurgu do më jepte këmbë dhe kurriz të ri.”

Ai ishte i bindur se kjo ka qenë “plotësisht reale” dhe se ishte “munduar nga halucinacione gjatë gjithë natës”.

“Problemi im kryesor është gjumi,” Kam humbur shprehinë e gjumit, dhe e kam të vështirë të fle pa ilaçe gjumi. Nuk e kam pasur kurrë këtë problem.

“Gjithashtu më dridhen duart, është diçka e paparashikueshme.” Ai tha se ka pasur kontrolle të shpeshta mjekësore, përfshirë teste të kujtesës, dhe “fizikisht jam duke u shëruar goxha shpejtë”.

“Nganjëherë nuk e di ku jam, unë dal për ecje dy herë në ditë, dhe mund të eci për kohë mjaft të gjatë. Për mua pjesa më e vështirë është të hyjë dhe të dal nga makina.”

Alexei Navalny u alivanos në një fluturim nga Tomski në Siberi për në Moskë më 20 gusht, dhe arsyeja pse mbijetoi është pasi aeroplani bëri një ulje emergjente në Omsk, ku ishte dërguar në kujdes intensiv.

Më vonë pas negociatave me autoritete të larta të Rusisë, ai ishte dërguar në Berlin dhe u trajtua atje teksa mbahej në komë.

Organizata ndër-qeveritare për ndalimin e armëve kimike (OPCW) ka konfirmuar se Navalny, 44, ishte helmuar me agjent nervor të tipit Novichok.

Në një njoftim, organizata tregoi ngjashmëritë mes gjurmëve të gjetura në urinën e tij dhe mostrave të gjakut dhe armëve kimike në listën e ndaluar.

Agjentët Novichok, janë zhvilluar nga shkencëtarë sovjetik gjatë luftës së ftohtë, janë jashtëzakonisht toksik- një sasi shumë e vogël mund të shkaktoj vdekje.

Qeveria ruse ka mohuar përfshirjen në helmimin e tij, doktorët rus që trajtuan zotin Navalny thanë se nuk kanë gjetur helm në trupin e tij.