Ceremonia e ngritjes së flamurit të NATO-s para Qeverisë në Shkup. 12 shkurt 2019 - Foto: REL/AFP

NATO ndihmon Maqedoninë e Veriut kundër lajmeve të rreme për virusin

Ambasadorja amerikane në NATO thotë se aleanca do të ndihmojë anëtarët e saj më të rinj të trajtojnë një valë lajmesh të rreme dhe dezinformimi, së fundmi për coronavirusin, që vijnë nga Rusia dhe Kina.

 

Ambasadorja amerikane në NATO, Kay Bailey Hutchison, tha të martën në Uashington se Maqedonia e Veriut, e cila iu bashkua aleancës këtë vit, do të marrë ndihmë të ngjashme me vendet e tjera anëtare në trajtimin e lajmeve të rreme nga Rusia, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve MIA e Maqedonisë së Veriut.

“Aleanca pret më shumë informacione nga Shkupi për krijimin e një ekipi të tillë në Maqedoninë e Veriut, me qëllim përgatitjen e mediave në vend se si të parandalojnë fushatat dezinformuese nga Rusia”, citoi MIA të ketë thënë Hutchison.

Ajo shtoi se në Maqedoninë e Veriut po përhapeshin shumë lajme të rreme në lidhje me coronavirusin dhe se ndihma e NATO-s ishte e nevojshme për t’u përballur me këtë gjë.

Ambasadorja u bëri thirrje aleatëve të NATO-s të luftojnë dezinformimin mbi coronavirusin që vinte nga Rusia dhe gjithashtu nga Kina.

“Ka raportime të rreme se Rusia dhe Kina po dërgojnë ndihmë, se virusi doli nga Europa ose Shtetet e Bashkuara. Kjo është absolutisht e gabuar dhe ne po mundohemi t’i përgjigjemi me fakte”, tha ajo në konferencën për shtyp.

Rusia ka kundërshtuar me forcë zgjerimin e NATO-s në rajonin e Ballkanit. Mali i Zi u bë shteti i 29-të anëtar në vitin 2017 pavarësisht kundërshtimit të hapur nga Moska, dhe që atëherë ka qenë shënjestër e sulmeve kibernetike që supozohet se vijnë nga Rusia. Për disa vite një ekip ekspertësh amerikanë po ndihmojnë në luftën kundër kërcënimeve kibernetike.

Maqedonia e Veriut u bë anëtari i 30-të i NATO-s në mars të këtij viti. Hutchison vuri në dukje se vendi ka qenë një shënjestër dezinformimi nga Rusia që kur ai aplikoi për anëtarësim, duke shtuar se këto kërcënime kanë vazhduar që kur vendi u anëtarësua në NATO.