NATO-ja lanson mision special për mbrojtjen e kabllove kritike nënujore

NATO-ja ka lansuar një mision të ri për të ngritur mbikëqyrjen e anijeve në Detin Baltik pas dëmtimit ose këputjes së disa kabllove nëndetare kritike vjet, ka raportuar të martën (14.01.2025) televizioni britanik, BBC.

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se misioni i njohur si “Roja Baltike” do të përfshijë më shumë patrullime ajrore, detare dhe dronësh.

Njoftimi është bërë në një samit në Helsinki, ku po marrin pjesë të gjitha vendet e NATO-s që kanë dalje në Detin Baltik – Finlanda, Estonia, Danimarka, Gjermania, Letonia, Lituania, Polonia dhe Suedia.

Megjithëse nuk e ka drejtuar gishtin direkt kah Rusia për dëmtimin e kabllove, Rutte ka thënë se NATO-ja do të fuqizojë monitorimin e “flotës në hije” të Moskës – anije pa pronësi të qartë që përdoren për të bartur produkte që janë nën embargon e NATO-s.

Tensionet ndërmjet vendeve të NATO-s dhe Rusisë janë ngritur vazhdimisht prejse Rusia ndërmori invazionin e saj në Ukrainë në shkurtin e vitit 2022.

“Ka një arsye për këtë shqetësim të madh” për dëmin infrastrukturor, ka theksuar Rutte. Ai ka shtuar se NATO-ja do të kundërpërgjigjej ndaj aksidenteve të tilla me vendosmëri, me shoqërimin e pjesëtarëve të anijeve në bord dhe, nëse është e nevojshme, edhe me marrje të anijeve.

Ai ka refuzuar të ndajë më shumë hollësi për numrin e aseteve që do të marrin pjesë në nismën e “Rojës Baltike”, duke thënë njëherësh se plani mund të ndryshojë rregullisht dhe se nuk dëshiron “ta bëjë armikun më të zgjuar sesa ai ose ajo është tani”.

“Infrastruktura nënujore është thelbësore jo vetëm për furnizimin me energji elektrike, por edhe për shkak se 95 për qind e trafikut të internetit sigurohet nëpërmjet kabllove nënujore” – ka shtuar Rutte. Ai ka thënë se “1.3 milion kilometra kabllo garantojnë transaksione financiare ditore në vlerë prej 10 bilionë dollarësh”.

Në një postim në “X”, ai ka thënë se NATO-ja do të bëjë çmos që “të sigurojë sigurinë e infrastrukturës tonë kritike” dhe të gjithçkaje që është e rëndësishme për vendet anëtare të saj.

Muajve të fundit ka pasur ngritje të theksuar të dëmtimit të infrastrukturës nënujore në Baltik.

Përgatiti: Rexhep Maloku / Kallxo.com