Foto: Facebook/KFOR

NATO-ja e gatshme të dërgojë më shumë trupa në Kosovë në rast të trazirave të reja

Aleanca Veri Atlantike – NATO është e gatshme të rrisë numrin e trupave në Kosovë nëse tensionet në mesin e pakicës serbe ndizen sërish me afrimin e afatit për targat e veturave (në RKS-Republika e Kosovës), tha të martën zëvendëskomandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) Luca Piperni, raporton agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters.

“Jemi vigjilentë dhe të gatshëm për të vepruar nëse kemi rritje të tensioneve, por mund të përdorim edhe forcat rezervë të cilat mund t’i thërrasim brenda një njoftimi të shkurtër,” – u tha gazetarëve gjenerali Luca Piperni në selinë e KFOR-it në Prishtinë.

Reuters tutje raporton se trazirat mes serbëve të Kosovës lidhur me kërkesën që të përdorin targat e makinave të lëshuara nga shteti kanë ngritur frikën e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë, më shumë se dy dekada pasi NATO bombardoi Serbinë për t’i dhënë fund represionit ndaj shumicës shqiptare të Kosovës.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur në vitin 2008, serbët në veri të Kosovës e konsiderojnë Beogradin, jo Prishtinën, si kryeqytetin e tyre.

Rreth 3,700 paqeruajtës të NATO-s janë ende të stacionuar në Kosovë për të parandaluar dhunën mes shqiptarëve  dhe serbëve.

Përpjekjet e mëparshme për të futur targat e Kosovës në veriun e Kosovës me shumicë serbe, çuan në përleshje midis policisë dhe serbëve lokalë, të cilët ngritën barrikada.

Barrikadat u çmontuan vetëm kur paqeruajtësit e NATO-s ndërhynë për të mbikëqyrur procesin dhe Kosova ra dakord të shtyjë vendimin për targat e makinave.

Piperni tha se situata është e qetë, por e brishtë për momentin dhe se NATO nuk mund të përjashtojë tensione apo dhunë të re në veri me afrimin e afatit të 31 tetorit.

“Nëse situata përkeqësohet, ne jemi të gatshëm të ndërhyjmë, jemi gati të jemi në  mes protestuesve dhe organizatave të sigurisë”, theksoi ai, raporton Reuters.

“Ne kemi forca të mjaftueshme për t’u përballur me situatën. Me atë sasi trupash mund t’i japim fund çdo lloj rritjeje të tensioneve,” shtoi Piperni, duke iu referuar trupave jashtë Kosovës që NATO mund të tërheqë si përforcime.

Si Kosova ashtu edhe Serbia synojnë t’i bashkohen Bashkimit Evropian dhe kanë rënë dakord, si pjesë e këtij procesi anëtarësimi, të zgjidhin çështjet e tyre të pazgjidhura dhe të ndërtojnë marrëdhënie të mira fqinjësore.